Google ADS

Gjykata u cakton nga një muaj paraburgim katër personave në Prizren për shitblerje të drogës

17:22 | 5 Shtator 2023
E.H

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda , ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 04.09.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 04.10.2023, ndaj të pandehurve Sh.P., M.P., Xh.K., dhe F.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe ndaj të pandehurit Sh.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Siç thuhet në njoftim, gjyqtarja e procedurës, Ajser Skenderi, me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se katër të pandehurit kanë blerë e shitur drogë të llojeve të ndryshme për periudhë të pacaktuar.

“Nga data e pavërtetuar e ne vazhdimësi, të pandehurit M.P., Xh.K., F.Sh., në bashkëveprim me të pandehurit Y.K., dhe L.K., pa autorizim blejnë ose posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Y.K., dhe i pandehuri Sh,.P., blenë substanca narkotike të llojit Kokainë dhe Kanabis në sasi të mëdha nga persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë, dhe pastaj e sjell në villen e tij e cila gjendet në lagjen Tusuz, të cilën më pas në bashkëveprim me të pandehuri M.P., Xh.K., L.K., dhe F.Sh., e ndajnë në sasi-qese të vogla me qëllim të shitjes apo shpërndarjes tek përdoruesit e këtyre substancave narkotike në Regjionin e Prizrenit”,thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Gjykata thotë se i pandehuri Sh.P., nga koha e pavërtetuar e deri me datë 05.09.2023, “ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, në atë mënyrë që me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur një pushkë gjuetie, dytytëshe, horizontale me numër serik …….- 64, nëntë fishekë të kalibrit të panjohur të pistoletës, një kafkë e pistoletës me numër serik ….., një kuti municioni brenda saj me dhjetë fishekë të pistoletës të kalibrit të panjohur, njëmbëdhjetë fishekë të kalibrit të panjohur, për të cilat nuk ka pasur leje nga organi kompetent i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, si dhe janë gjetur pjesët përcjellëse si: një sprej për pastrim të armëve, një kuti plastike me brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rripë fotrollë për vendosjen e karikatorëve ngjyrë e zezë”.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve do të merren në pyetje dëshmitarët eventualë, dhe me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë apo dëmtimin e provave, “andaj është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm”./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme