Google ADS

Kelmendi publikon infografikat, thotë se shpërndarja e librave ndryshoi për shkak të abuzimeve

17:20 | 5 Shtator 2023
E.G

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi ka publikuar një infografike teksa ka thënë se në periudhën 2008-2022, tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit rreth 124 milionë euro.

Sipas tij, asnjëherë më parë nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura, shkruan Arbresh.info.

Tutje ai tha se procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes dhe transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë teksa shtoi se janë rritur vetëm çmimet e tekseteve.

“Në periudhën 2008-2022 (14 vite) tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124,803,403.00 €. Asnjëherë më parë, nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura. Procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes e transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë. Janë rritur vetëm çmimet e teksteve.”, ka shkruar Kelmendi.

Tutje ai ka shkruar se nga raporti i auditorit, është konstatuar se brenda një viti të vetëm keqpërdorimet kanë kapur vlerën prej afro 500 mijë eurosh.

“Ka pasur raportime publike rreth keqpërdorimeve në procesin e shpërndarjes së teksteve, stoqe të mbetura në bodrumet e shkollave dhe blerje të teksteve të panevojshme. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga raporti i auditorit, ku është konstatuar se brenda një viti të vetëm këto keqpërdorime kanë kapur vlerën prej afro 500,000 €.”, tha ai.

Ndër të tjera, Kelmendi ka thënë se vetë ish-ministrat e Arsimit, ish-ministrat e Financave, ish-kryeministrat që sot janë në opozitë dhe po e ngrisin zërin për prishjen e kësaj praktike abuzive kanë qenë vetë nënshkruesit e vendimeve për blerjet e teksteve shkollore dhe rritjen e shpenzimeve.

“Buxheti i planifikuar me ligjin e buxhetit vit pas viti është tejkaluar për së paku dyfishin e vlerës së tij. Ish-ministrat e Arsimit, ish-ministrat e Financave, ish-kryeministrat që sot janë në opozitë dhe po e ngrisin zërin për prishjen e kësaj praktike abuzive kanë qenë vetë nënshkruesit e vendimeve për blerjet e teksteve shkollore dhe rritjen e shpenzimeve sipas infografikes më poshtë. Ndoshta nuk kanë harruar!”, u shpreh Kelmendi.

Sipas Kelmendit, nëse do të vazhdohej me këtë praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8,029,717 € për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V, pra vlera e parashikuar (4,316,885 €) në ligjin për buxhet pothuajse të dyfishohet.

“Pra, është e mundur të ndalet abuzimi, të jemi transparent me buxhetin e shtetit dhe të furnizohen nxënësit me tekste shkollore ndërkohë që nuk ndjejmë keqardhje për ata që kanë qenë të përfshirë në këto praktika.”, u shpreh Kelmendi./Arbresh.info

Të ngjashme