Google ADS

Vrasja në Bon Vivant, Andi Pajaziti mbetet në paraburgim edhe për dy muaj

12:00 | 5 Shtator 2023
Diellza Gashi

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të pandehurit Andi Pajaziti i njohur me nofkën “Italiani”, i dyshuar për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë 17 persona mbeten të lënduar kurse vdiq 39-vjeçari K.R.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Me datë 04.09.2023, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.P, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, konfirmoi ajo.

Ndryshe, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 janë liruar nga masa e paraburgimit.

Ndryshe, më 17 gusht 2023, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R., duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin tre të dyshuarve iu kishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç).

“Gjykata e Apelit me aktvendimin PN1.DKR.nr.876/2023, të datës 16.8.2023, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve A.P, H.G dhe G.Z, ndërsa aktvendimin e Gjykatës

Departamenti për Krime të Rënda PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktvendimit Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka arsyetuar se nga shkresat e lëndës respektivisht nga provat e mbledhura deri me tani ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe po ashtu nga provat e mbledhura deri me tani janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 184 par.1 nen par.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPRK-së,  që janë kushte qenësor për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Ndryshe, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17  persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave./Arbresh.info/

Të ngjashme