Google ADS

Kurti takohet me gratë pensioniste: U pajtuam që reforma pensionale të bëhet mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe drejtësisë

10:39 | 5 Shtator 2023
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nën organizimin e Grave për Vetëvendosje, mori pjesë në një bashkëbisedim me gratë pensioniste nga komuna e Prishtinës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se biseda me gra të kësaj moshe që e kanë njohjen, përvojën, e mbi të gjitha dashurinë për vendin, është gjithnjë mësim për secilin, përcjell Arbresh.info.

“Së bashku me gratë pensioniste, u pajtuam që reforma pensionale duhet të bëhet mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe drejtësisë. Ato që sot janë pensioniste kanë bërë shumë për këtë shoqëri, dhe tash ne si qeveri dhe si shoqëri duhet të bëjmë më shumë për to në mënyrë që secila të ketë mirëqenie dhe jetë të mirë”, shkroi Kurti.

Në këtë takim sipas kreut të Qeverisë u trajtuan shumë çështje që nga brengat rreth reformës së skemës pensionale deri te nevoja për pensione më të larta.

“Pa dyshim gatishmëria që kemi treguar duke ndihmuar këtë kategori në përballje me inflacionin dhe vendimi që të mos e lemë asnjë pension nën 100 euro, ishin vendime që u vlerësuan nga secila prej grave pensioniste. Bashkëbiseduam edhe për punët tjera që kemi bërë për këtë gjysmë mandati për këtë kategori, e cila asnjëherë nuk është trajtuar sistematikisht e ashtu siç duhet:Mbi 280 mijë pensionistë kanë përfituar tri herë shtesa nga 100 euro, në nëntor 2021, prill 2022 dhe tetor 2022. Miratuam ndryshimet në ligj për t’ju mundësuar pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet ’90-ta të përfitojnë nga pensionet kontributpaguese, nga e cila nismë përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë/e”, tha Kurti.

Tutje, Kurti thotë se kanë arritur marrëveshje për njohje të kontributeve të sigurimeve për efekt pension pleqërie me Shqipërinë, ku është vënë në zbatim për qytetarët në Shqipëri e Kosovë.

“Vizita në shtëpi për pensionistët që janë mbi 80 vjeç apo që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht në zyret e pensioneve. Kemi arritur marrëveshje të njohjeve të kontributeve të sigurimeve për efekt pension pleqërie me Shqipërinë, që është vënë në zbatim për qytetarët në Shqipëri dhe në Kosovë”, përfundoi Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme