Ndryshimet në kabinetin qeveritar/ Kush janë ministrat e rinj

07:18 | 5 Shtator 2023
K.B

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama prezantoi gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, këtë të hënë, ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Nga ndryshimet e bëra preken 6 ministri, ndërkohë që është shkrirë Ministria për Standardet dhe Shërbimet dhe është shtuar Ministria e Pushtetit Vendor, e cila do të drejtohet nga Arbian Mazniku.

Po kush janë ministrat e rinj:

Ministër i Finanacave dhe Ekonomisë:

Mete ka ushtruar më herët detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Para kësaj ai ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.

Gjatë drejtimit të institucionit që mbikëqyr tregun e sigurimeve, fondet e investimeve dhe pensionet private vullnetare, janë miratuar ligjet kryesore për tregjet financiare nën mbikëqyrje, të përafruar në masë të gjerë me Direktivat Evropiane.

Mete mban pozicionin e negociatorit për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Me gradën Master nga Universiteti i Harvardit në SHBA, i specializuar në të drejtë korporatash dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës (LSE), në të drejtë fiskale, Z. Mete ka shërbyer më parë si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë në periudhën 2013-2017.

Në këto funksione ka qenë përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë kësaj periudhe, Z. Mete ka qenë i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar.

Mete ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit Kombëtar për “Programin e Reformave Ekonomike me Bashkimin Evropian”, si edhe ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar.

Ministri për Evropë dhe punët e Jashtme: Igli Hasani

Igli Hasani aktualisht është Koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.

Përpara anëtarësimit në OSBE, Hasani ka qenë Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë. Në janar 2021, ai mori postin e Kryetarit të Grupit të Partnerëve Aziatikë për Bashkëpunim.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.

Hasani ka një përvojë 17 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014). dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).

Ai është diplomuar në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King’s College në Londër, si dhe është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes.

Ministër i Arsimit dhe Sportit: Ogerta Manastirliu

Ogerta Manastirliu, është vendosur në vendin në vendin e Evis Kushit, e cila tashmë është në postin e sekretariatit për gruan.

Manastirliu më parë ishtë ministre e Shëndetësisë.

Ministre e Bujqësisë: Anila Denaj

Në postin e ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është propozuar Anila Denaj, e cila do të zëvendësojë ministren Frida Krifca. Denaj ka mbajtur më parë postin e ministres së Financave dhe Ekonomisë.

Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Albana Koçiu

Albana Koçiu, është ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale! Emri i saj u propozua sot nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së. Koçiu zëvendëson në këtë post, Ogerta Manastirliun, e cila drejtont këtë ministri që prej 2017.

Albana Koçiu aktualisht mban pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013.

Koçiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës dhe vjen në krye të Departamentit të Administratës Publike pas një eksperience 18 vjeçare në pozicione drejtuese ne administratën qendrore dhe vendore, me fokus të veçantë në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Njëherazi, Koçiu ka ndjekur një sërë kursesh dhe trajnimesh profesionale mbi drejtimin, menaxhimin e burimeve njerëzore, rekrutimin efektiv në shërbimin civil, analizën e nevojave për trajnim në administratën publike etj.

Si Drejtor i Departamentit të Administratës Publike, znj. Koçiu kryeson në nivel teknik procesin e Reformës së Administratës Publike, si një ndër prioritetet e vendit drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ministër Shtetit për Sipërmarrjen: Delina Ibrahimaj

Ibrahimaj e cila ishte ministre e Financave tashmë është vendosur në vendin e Edona Bilali, ministre pa portofol për Sipërmarrjen detyrë të cilën e mori në 2021.

Ministër Shteti për pushtetin vendor: Arbian Mazniku.

Arbian Mazniku do të jetë ministri i ri për Shtetin dhe Pushtetin Vendor, një ministri e krijuar sot. Arbjan Mazniku ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës që nga shtatori i vitit 2015.

Më parë, ai ka qenë zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit për periudhën 2 vjeçare. Para se të merrte përsipër këto detyra, Arbjani ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit AGENDA, një organizatë në Tiranë që merret me kërkime dhe analiza të politikave publike në Shqipëri, sidomos në fushën e qeverisjes, Integrimit Europian dhe zhvillimit ekonomik dhe social.

Në janar të vitit 2008 Mazniku ka punuar për MJAFT, lëvizja civile më e suksesshme, e cila nxiti reagimin dhe aktivizimin e të rinjve për çështje të ndryshme politike e sociale.

Nga vitet 2005-2007, Arbjan Mazniku ka qenë Drejtor për Politikat e brendshme në MJAFT dhe nga viti 2003-2005 ka qenë Drejtor Komunikimi në MJAFT.

Përpara aktivizimit në MJAFT, Arbjani ka drejtuar Shoqatën Ndërkombëtare të Debateve në Shqipëri për 3 vjet, duke kordinuar programet e debatit për Gjimnazet dhe Universitetet.

Arbjan Mazniku ka studiuar për Gazetari në Universitetin e Tiranës dhe zotëron një Master në Profilin Komunikim Politik nga Universiteti Sheffield në Britaninë e Madhe./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme