Google ADS

“Ky është çmimi i lirisë”, fjalët prekëse të Thaçit nga Haga: Endriti tani u bë burrë

20:52 | 4 Shtator 2023
E.G

Ish-presidenti i Kospovës, Hashim Thaçi, gati tri vite pas arrestimit të tij nga Dhomat e Specializuara të Hagës ka thënë një intervitë në të cilën ka folur edhe për familjen e tij.

Në këtë intervistë Thaçi përmend edhe diplomimin e djalit të tij, Endrit Thaçit, në të cilin nuk ka mundur të marrë pjesë, transmeton Arbresh.info.

“Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj”, ka deklaruarThaçi në një intervistë për Nacionalen.

Ai ka thënë se I mungojnë çdo ditë, “por ky është çmimi i lirisë”.

Thaçi foli edhe për vizitën e prindërve gjatë vitit të kaluar, duke e quajtur emocion të veçantë dhe të paharrueshëm.

“E di që mallëngjimi është deri diku dobësi, por paraqet edhe njerëzi: jemi njerëz nga mishi dhe gjaku. Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, për vizitën e tij në muajin maj, ka thënë se paraqet mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore.

“Vizita ime para do kohësh, më 29 maj 2023, e cila u krye në ruajtje dhe shoqërim të DHSK, në vendlindje në Burojë, biseda me prindërit, për disa orë, paraqet një mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore. Koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time. Evokuam kujtime të së kaluarës, biseduan për rrethin e ngushtë dhe të gjerë familjar, për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Janë të bekuar që kanë plot mbesa e stërmbesa, nipa e stërnipa. Po e jetojnë pleqërinë të qetë, krenarë dhe dinjitozë.

Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore”, tha ish-presidenti Thaçi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme