Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë, siç tha ajo, që e realizoi Rusia në Ukrainë më 2014.
Osmani, që qëndroi në vizitë zyrtare në Shqipëri, tha se të gjitha shtetet demokratike në rajon nuk duhet të lejojnë zbatimin e këtij plani.
Ajo iu referua nisjes së konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit dhe aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska.
“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”, tha Osmani, duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – u rritën në fund të majit, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill. Votimet e prillit u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe në Kosovë.
“Prandaj, sa i përket asaj që ngjan në veri, ta keni parasysh që Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë ilegalisht, Serbia vazhdimisht trajnon pjesë të strukturave ilegale kriminale në ushtrinë serbe, në mënyrë që ata pastaj të shkaktojnë probleme nëpërmjet armëve që i sjellin ilegalisht në veri të Kosovës. [Serbia] vazhdimisht i terrorizon, frikëson e sulmon qytetarët serbë që jetojnë në veri. Vazhdimisht fut grupe transnacionale të krimit të organizuar në veri. Kjo është një sfidë për të gjithë rajonin tonë, që të gjitha shtetet demokratike duhet ta trajtojmë së bashku. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani, duke mos ofruar dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Në korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për hapat që duhet të ndërmerren për shtenisionimin e situatës, përfshirë edhe reduktimin e pranisë policore në komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Kur nisën tensionet në veri, komuniteti ndërkombëtar në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kërkuan nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
BE-ja më pas vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, ndërkaq SHBA-ja njoftoi se Prishtina nuk do të merrte pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s, Defender Europe 23.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, porositi që Kosova dhe Serbia të punojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në shkurt, pasi sipas tij, kjo marrëveshje eventualisht do të çojë në njohje reciproke.
Megjithatë, në marrëveshjen prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Begaj po ashtu kërkoi nga Kosova që të ketë koordinim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
“Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në veri të Kosovës dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorët të tretë dashakeqës duhet një koordinim më i mirë dhe më i ngushtë me partnerët tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për të gjitha veprimet e ndërmarra”, tha Begaj gjatë konferencës së përbashkët për media.
Kreu i shtetit shqiptar përsëriti disa herë se Kosova është prioritet kombëtar dhe se të gjitha strukturat institucionale të Shqipërisë po punojnë që Kosova të rrisë numrin e njohjeve ndërkombëtare, por edhe të anëtarësohet në mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pavarësia e Kosovës njihet nga 117 shtete. Por, që nga 1 shkurti i vitit 2021 – kur Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike – KOsova nuk është njohur nga asnjë shtet tjetër./REL/
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...