Vlerësohet se 2.500 trupa nga Organizata e Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) – aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia – kanë nisur stërvitjet ushtarake në pjesë të Bjellorusisë që gjenden në kufi me Poloninë dhe Lituaninë, dy shtete anëtare të NATO-s.
Stërvitjet pritet të zgjasin deri më 6 shtator. Në to janë përfshirë trupat nga Rusia, Bjellorusia, Kirgizia, Kazakistani dhe Taxhikistani. Edhe Armenia bën pjesë në CSTO, por nuk ka dërguar trupa për këto stërvitje.
Ministri i Mbrojtjes së Kazakistanit, Ruslan Zhaqsylyqov, tha se ushtarët e shtetit të tij do të marrin pjesë në stërvitje, por nuk do të dërgojnë pajisje ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë tha se stërvitjet synojnë të përgatisin trupat për operacione të përbashkëta, përfshirë edhe për përgjigje ndaj ndonjë incidenti bërthamor, por edhe për ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
Stërvitjet në Bjellorusi po vëzhgohen nga përfaqësues të Kinës, Iranit, Arabisë Saudite dhe Mongolisë.
Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, tha një ditë më parë se shteti i tij kishte ftuar edhe përfaqësuesit e Polonisë në cilësinë e vëzhguesve.
Një zyrtar i Ministrisë bjelloruse të Mbrojtjes tha se Polonia kishte refuzuar këtë ftesë.
Ukraina, që gjendet në kufi me Bjellorusinë, ka forcuar mbrojtjen në kufijtë e saj para mbajtjes së stërvitjeve.
“Për ne, çdo veprim nga armiku, përfshirë edhe mbajtja e stërvitjeve në territorin e saj, është diçka që rrit rrezikun”, tha gjenerali ukrainas, Serhiy Naiev, që udhëheq komandën e forcave të përbashkëta të Ukrainës.
Në Bjellorusi ka trupa dhe pajisje ushtarake të Rusisë që janë përdorur në luftën në Ukrainë, por trupat bjelloruse nuk kanë marrë pjesë në pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Po ashtu, në Bjellorusi janë të stacionuar edhe luftëtarët e grupit mercenar rus, Wagner.
Rusia po ashtu ka njoftuar se ka vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi./REL/
Ishte i dënuar me burgim për dhunë në familje dhe dy vepra t...
Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal ndaj Pecit e...
Gërvalla deklarohet e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë
Kryeministri Kurti apel të rinjve: Ky vend ia vlen fortë të ...
Nis prezantimi i Studimit të Rinisë 2024,nga Fondacioni Frie...
Edi Rama ndan foto nga Unaza Verilindore e Tiranës