Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit dhe OSBE-së zhvilloi një takim me shoqatat, autoritetet vendore dhe ish të përndjekurit e regjimit komunist, në mjediset e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës së Krimeve të Komunizmit.
Drejtuesja e Autoritetit, Gentjana Sula, tha se është marrë një vendim për hetimin administrativ mbi vendvarrimet e kundërshtarëve politikë në periudhën e komunizmit.
“Dje, institucioni ka marrë një vendim për të filluar hetimin administrativ për vendvarrimet e fshehura në zonën e Shkodrës. Ka pasë disa aplikime. Janë rreth 13 familje që janë duke kërkuar të afërmit e tyre. Na kanë sjellë edhe tregues për disa vendvarrime. Është edhe një shkresë-kërkesë e klerit katolik, ku kërkohet zbardhja e fatit, kërkimi dhe gjetja e eshtrave të disa martirëve të kishës katolike”, tha zonja Sula.
Drejtuesja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit thotë se, megjithëse kanë kaluar dhjetëra vite, shumë familje të të zhdukurve vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre dhe, për këtë, kanë aplikuar pranë institucionit që ajo drejton.
“Janë mbi 250 aplikime që kanë ardhur pranë institucionit tonë. Janë njerëz që kanë bërë gërmime vetë, kanë bërë kërkime, kanë tregues, kanë pyetur gjithë këto vite. Kështu që, të gjitha këto të dhëna, do të na shërbejnë ne që, në hetimet administrative të mund të arrijmë në përfundimin nëse vendet e dyshuara janë vërtetë apo jo. Dhe pastaj do të kalohet tek institucionet e tjera, që do t’i vëmë në lëvizje në mënyrë shkresore përmes dyshimeve tashmë të verifikuara”.
Tri dekada pas rënies së komunizmit, familjarët e personave të zhdukur kërkojnë ende të mësojnë se si u vranë dhe ku u varrosën të afërmit e tyre. Mes tyre është edhe familja Ashta nga Dukagjini i Shkodrës, një nga familjet shqiptare më të persekutuara gjatë periudhës së komunizmit.
“Ne kemi 11 veta të pushkatuar me gjyq, pa gjyq, apo të vdekur në internim. Dhe, kalvari i vuajtjeve të familjes tonë ka filluar në vitin 1946 dhe ka përfunduar më 24 dhjetor 1990. Nga këta të 11, kemi katër pa varre, duke filluar me axhën që është Martir i Kishës, Gjelosh Lulashi, i pushkatuar me 4 mars 1946 me grupin e klerikëve”, thotë Ndoc Ashta.
Ekspertja e OSBE-së, Erjola Lika, tha gjatë takimit se OSBE është e angazhuar në mënyrë të posaçme për personat e zhdukur në komunizëm. Bashkë me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, OSBE , tha ajo, po punon prej gati dy vitesh për hartimin e një draft-vendimi që pritet të miratohet nga qeveria, i cili do të mundësojë në praktikë realizimin e hapave themeltar për zbulimin dhe identifikimin e vendvarrimeve dhe të zhdukurve të periudhës së komunizmit.
“Jemi duke u përpjekur të hartojmë bazën ligjore për fillimin e procesit të kërkimit dhe identifikimit të eshtrave të personave të zhdukur. Nuk ka qenë një proces i lehtë sepse janë shumë institucione shqiptare të angazhuara”, tha ajo.
Sipas Ndoc Ashtës, periudha e gjatë që ka kaluar, e ka vështirësuar së tepërmi gjetjen e gjurmëve të ekzekutimeve dhe vendin e zhdukjes së trupave të kundërshtarëve politikë të komunizmit.
“Janë të pakta mundësitë, por unë them se janë edhe jo serioze përpjekjet. Qeveria ka nxjerrë ligje, ka marrë përsipër diçka, por jo seriozisht. Po ashtu edhe donatorë të huaj që, siç jam në dijeni, kanë vu fonde në dispozicion, por ndoshta nuk janë lidhur me njerëzit e duhur”
Tre dekada nga rrëzimi i komunizmit ende nuk ka një shifër të saktë të personave të zhdukur, ndërsa procesi për gjetjen e trupave të tyre duket i vështirë dhe thuajse i pamundur edhe për shkak të zvarritjes nëpër sirtaret e arkivave, institucioneve dhe burokracisë, çka e dëshmon edhe pyetësori i fundit, i publikuar dy ditë më parë nga kujto.al (Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri).
Sipas tij, nga familjarët e 175 viktimave të zhdukura gjatë komunizmit, më shumë se gjysma pohojnë se kanë kryer kërkime private në institucionet shtetërore dhe në arkiva për të zbuluar fatin e të afërmve të zhdukur.
Rreth 71% e tyre dështuan që t’i gjenin vendvarrimet, ndërsa vetëm 29% i kishin gjetur ato.
Po sipas këtij anketimi, rreth 62% e të anketuarve kanë deklaruar se kishin kërkuar ndihmën e autoriteteve, të tilla si Ministria e Brendshme, Autoriteti i Dosjeve apo policia. Megjithatë, 61% e vlerësuan me notë negative reagimin e këtyre institucioneve./voa
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...