Google ADS

Moti i keq dhe përmbytje në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: Jemi në gatishmëri për çdo emergjencë, bashkitë të marrin masa

08:16 | 29 Gusht 2023
E.H

Prej orëve të para të së martës, në Shqipëri priten reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë duke u bazuar në informacionin e marrë nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se është në gadishmëri të plotë për çdo rast emergjent.

Ministria e Mbrojtjes gjithashtu i bën thirrje të gjitha bashkive të marrin masat e nevojshme që t’i paraprijnë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.

“Bazuar në informacionin e marrë nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, duke filluar prej orëve të para të së martës, në vendin tonë priten reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë. Reshje mesatare priten në shumicën e qarqeve të tjera të vendit duke u shoqëruar edhe me shtrëngata. Në qarqet e sipërpërmenduara, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bëjmë thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Do të jemi në vëzhgim për të gjitha situatat që mund të ndodhin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve tanë”, shkruan ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme