Shqiptarja nga Sanxhaku: Për të më trembur se pse fillova të ngrija zërin kundër asimilimit më thanë, “Mos e bëj këtë, do të të vras dikush, ata që ngrisin zërin kundër Serbisë, nuk mbesin të gjallë”

11:13 | 27 Gusht 2023
E.H

Amina Nuraj nga Sanxhaku, e cila është rikthyer në identitetin kombëtar të të parëve të saj. Ishin shqiptarë, por, pas vitit 1912, familjet shqiptare si dhe ajo e Nurajt, në këtë krahinë dikur pjesë e vilajetit të Kosovës, ishin asimiluar, disa në boshnjakë, serbë apo kombësi të tjera sepse ishte interesi i pushtuesit që atëbotë quhej Mbretëria Serbo-kroato-sllovene e më vonë edhe Jugosllavia e vjetër.

Për shqiptarët e Sanxhakut, as shteti shqiptarë por as ai i Kosovës, nuk shprehën interesim për t’i mbajtur lidhjet e gjakut dhe të gjuhës, duke e pa këtë autoritetet e atëhershme pushtuese, nisën misionin e tyre për asimilimin e popullsisë shqiptare që ishte shumicë dërmuese në ato anë.

Për ‘Arbresh.Info’, Armina Nuraj, ka folur haptas e pa fshehur asgjë, ajo ka treguar se kur nisi të reflektoj dhe të heq dorë nga kombësia boshnjake e të rikthehet në kombësinë prej nga i kishte rrënjët.

Nuraj, nuk la pa treguar se si po e vazhdon këtë mision me fëmijët e tjerë të familjeve shqiptare që ende vazhdojnë të jenë pjesë e kombit boshnjak, sa është rritur përqindja e popullsisë shqiptarë që prej nisjes së këtij misioni.

Sa po mbështetet nga dy shtetet shqiptarë Shqipëria dhe Kosova, për ta përkrahur në rrugën e saj të nisur tash e sa vite, për sfidat që po has, cili është mesazhi i saj drejtuar institucioneve kosovare dhe atyre shqiptare.

Si po stigmatizohet nga institucionet në Serbi, kërcënimet që i vijnë çdo ditë nga individët nacionalistë serbë, urrejtjet që i ka përjetuar nga serbët në Sanxhak dhe vendet e tjera, për pengesat dhe ofendimet që i përjeton gati çdo ditë.

Në fund, Nuraj nuk hezitoj të përmend se cila është rruga e bashkimit, a është kohë e vonshme tash kjo periudhë kur lufta mes fuqive të mëdha është për një rend të ri botëror.

Të gjitha këto mund t’i lexoni në intervistën e më poshtme të cilën ‘Arbresh.Info’, ka realizuar me shqiptaren nga Sanxhaku, Amina Nuraj.

Arbresh.Info: Zonja Nuraj, kur e keni kuptuar që i përkisni një kombi tjetër që quhen shqiptarë dhe nuk jeni e atij komuniteti në të cilën bënte pjesë familja e juaj?

Amina Nuraj: Udhëtimi im filloi kur isha vetëm 12 vjeç, atë kohë vizitova Republikën e Kosovës për herë të parë. Pas kësaj asgjë nuk ishte njësoj, edhe pse unë dëgjoja propagandën serbe në televizion, nuk doja ta besoja. Çdo emër shqiptar që përmendnin në televizion, si fëmijë 12 vjeç, e kërkoja në internet në ‘google’, për të parë se kush janë ata në të vërtetë. Unë atëherë nuk e dija gjuhën shqipe, por çdo tekst e përkthej nga gjuha shqipe në gjuhën boshnjake. Ndërsa fëmijët e moshës sime luanin jashtë, unë po mësoja për heronjtë shqiptarë në internet.

Që nga momenti kur erdha në Republikën e Kosovës e ndjeva se i përkisja atij kombi, kështu që nga ai moment u ndjeva shqiptare, por e lashë kohën të merrte rrjedhën e saj dhe sot jam këtu ku jam.

Arbresh.Info: Si ka qenë të jetosh në mes të dy kombësive, cilat kanë qenë sfidat që të kanë përcjellë gjatë asaj periudhe?

Amina Nuraj: Për fat të keq, politika serbe dhe historia e rreme e kanë bërë punën e tyre. Na ndanë nga çdo gjë shqiptare, përfshirë edhe njerëzit në Sanxhak.

Kur në moshën 17 vjeçare fillova të ngre zërin kundër asimilimit në Sanxhak dhe kundër pushtetit serb, kam hasur në shumë pengesa nga populli sepse serbët i kanë futur frikën popullit të Sanxhakut.

“Mos e bëj këtë, do të vras dikush, mos e bëj, se ata që ngrejnë zërin kundër këtij vendi nuk ka mbetur i gjallë”.

Dhe shumë fjalë të tjera që më thanë për të më trembur, por Zoti më bëri që të mos kem frikë nga askush dhe çfarëdo që të vendos të jetë kështu.

Arbresh.Info: Tani, jeni kthyer krejt familja në identitet kombëtar shqiptar, apo vetëm ju individualisht?

Amina Nuraj: Në fillim isha e vetme shqiptare në gjithë familjen dhe më pas, me kalimin e kohës, familja ime pranoi që janë shqiptarë.

Arbresh.Info: A keni vazhduar edhe me fëmijët apo moshatarët e juaj të flisni që i përkisni një kombësie tjetër?

Amina Nuraj: Sigurisht që jam, sepse ato që shkruaj në ‘Facebook’ nuk janë asgjë që bëj në fakt dhe sa komunikoj me të rinjtë e Sanxhakut. Të rinjtë e Sanxhakut, janë të gatshëm, por kemi nevojë për mbështetje nga dy shtetet tona, Republika e Kosovës dhe Shqipëria.

Arbresh.Info: A është rritur përqindja e popullsisë që po deklarohen shqiptarë në Sanxhak?

Amina Nuraj: Kur e nisa gjithë këtë isha vetëm, 9 vite më vonë krijova “ushtrinë” time të fëmijëve në Sanxhak që janë të njëjtë me mua. Më herët në Sanxhak as nuk mund të dëgjoje këngë shqipe dhe as ta shihje flamurin shqiptar diku në makinë apo në ndonjë dasmë, por tani është krejtësisht ndryshe. Tani në çdo dasmë në Sanxhak ka këngë shqipe, flamuri shqiptar, populli ka nisur dalëngadalë, por me siguri t’u kthehet rrënjëve sepse çdo gjë bëhet ujë, gjaku nuk mund të bëhet ujë kurrë!

Arbresh.Info: Sa ka pasur interesim nga Shqipëria dhe Kosova, që të ju takojnë për këtë rrugë që e keni nisur?

Amina Nuraj: Më ftoi për të katërtën herë ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta për datën 28 ​​Nëntor, por nuk kam pasur interes për të ndihmuar banorët e Sanxhakut as nga Republika e Kosovës dhe as nga Shqipëria nga ana politikanëve tonë.

Arbresh.Info: Cili është mesazhi që ua drejton udhëheqësve të Kosovës dhe Shqipërisë, çka duhet të bëjnë qeveritarët për ju?

Amina Nuraj: Mesazhi im për dy vendet tona, Republikën e Kosovës dhe Shqipërinë, është që të punojnë më shumë për ne në Sanxhak, të interesohen më shumë, të na ndihmojnë duke hapur shkolla për mësimin e gjuhës shqipe. Që në librat e historisë të përmendet Sanxhaku si vend shqiptar, që rinia e Kosovës të jetë më e lidhur me ne. Sepse ajo që është e trishtueshme është se shumica e të rinjve tanë në Kosovë nuk e dinë as ku është Sanxhaku, kur u them se fatkeqësisht është në Serbi, aty fillon ftohtësia. Ne jemi vëllezërit dhe motrat tuaja, jemi fillestarë në komb, na ndihmoni të jemi njësoj si ju, të na mësoni gjuhën shqipe.  

Arbresh.Info: A mund të ndodh që familjet shqiptare dhe pasardhësit e tyre të rikthehen dhe cilat janë sfidat që ballafaqoheni me shtetin e Serbisë, në Sanxhak?

Amina Nuraj: Mendoj se ky është shansi i fundit që kombi ynë të kthejë Sanxhakun, sepse krejt papritur filloi interesimi i popullit për kombin shqiptar. Problemet me të cilat ballafaqohemi është frika, frika nga shteti, sepse siç e kemi parë dhe dëshmuar gjatë historisë, Serbia është një shtet gjenocidal dhe ata janë të gatshëm për çdo gjë, prandaj na duhet “shpina” e Kosovës dhe Shqipërisë për ta fshirë atë frikë, sepse është ndryshe kur ke dikë me vete.

Unë jam dëshmitar personal se kur Peshterët ishin gati të deklaroheshin si shqiptarë dy vjet më parë, edhe pse ne e bëmë këtë në fshehtësi të madhe, dikush, jam i sigurt për këtë, e ka njoftuar sigurimin shtetëror serb. Ata nuk pritën të kalonte as një javë, menjëherë e dërguan ushtrinë serbe në stërvitje në Peshter.  

Arbresh.Info: A keni stigmatizim, kërcënime, shantazhe, urrejtje të shfaqur apo pengesa të tjera nga institucionet serbë në këtë çështje?

Amina Nuraj: Institucionet serbe nuk vijnë vetë për të më kërcënuar, ata dërgojnë njerëzit e tyre që më shkruajnë mesazhe të llojllojshme, duke më kërcënuar se do të më masakrojnë, do të më vrasin gjithë familjen. Pikërisht dje në mëngjes mora një mesazh nga një çetnik nga Republika e Kosovës, i cili më shau nënën time dhe e quajti policinë e Kosovës “majmunët me uniformë” dhe se nuk guxoj të shkel më kurrë në Kosovë. Menjëherë pas marrjes së mesazhit, u dërgova mesazh policisë së Kosovës që të ma gjenin shtëpinë e tij. Ndeza makinën dhe u nisa rrugës për në Zubin Potok dhe atij djalit i dërgova mesazh “Dil para shtëpisë vetëm nëse je burrë”, me bllokoi menjëherë, shkova direkt në shtëpinë e tij ku motra e tij më tha se kishte shkuar diku.

Arbresh.Info: Si e shihni, si mundet të bëhen bashkë shqiptarët atje dhe këndej kufirit. Apo mendoni që së pari duhet vetëm rikthimi e pastaj të mendohet për të tjera veprime?

Amina Nuraj: Asgjë nuk përjashtohet, por prandaj ne, ju, politikanët, unë duhet të punojmë shumë për t’i dhënë forcë popullit në Sanxhak për kthim. Dhe vetëm atëherë të heqim kufijtë që na ndanë. /Pleurat Salihu/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme