Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të enjten sanksione ndaj 13 personave dhe subjekteve që thuhet se janë të lidhura me zhvendosjen dhe transferimin e detyruar të fëmijëve të Ukrainës, ndërsa Uashingtoni rrit presionin ndaj Moskës për agresionin e saj në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin gjithashtu hapa për të vendosur kufizime në dhënien e vizave ndaj tre autoriteteve të emëruara nga Moska në territoritet e marra nën kontroll nga forcat ruse për përfshirje në abuzimet e të drejtave të njeriut të të miturve ukrainas, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
“Së bashku me partnerët tanë në Evropë, ne po mbështesim tani Ukrainën në luftën e saj për liri dhe do t’i ndihmojmë edhe në të ardhmen afatgjatë”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden në një deklaratë të enjten duke shënuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Qeveria e Ukrainës vlerëson se autoritetet ruse kanë dëbuar dhe/ose zhvendosur me forcë mbi 19,500 fëmijë nga shtëpitë e tyre që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022.
Ndër ata që u goditën me sanksione të enjten ishte Artek, për të cilin Departamenti i Shtetit tha se është një “kamp veror” në pronësi të qeverisë ruse, në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Departamenti i Shtetit tha se fëmijë ukrainas janë dërguar në Artek të cilët më pas janë i janë nënshtruar “programeve të riedukimit ‘patriotik'” dhe nuk lejohen të kthehen tek familjet e tyre. Drejtori i kampit Artek ishte gjithashtu mes të sanksionuarve të enjten.
Gjithashtu në shënjestër ishte dhe këshilltari i guvernatorit të Belgorodit, komisionerët për të drejtat e fëmijëve në rajonet Kaluga dhe Rostov dhe kryetari i qeverisë së Republikës çeçene.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq ndërsa Rusia kryen këto krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën, të enjten.
Ambasadori i Rusisë në OKB Vassily Nebenzia i tha Këshillit të Sigurimit se vendet perëndimore po gënjejnë për rrëmbimet e supozuara të fëmijëve ukrainas, duke shtuar se Rusia në fakt po i shpëtonte ata.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në mars për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren për fëmijët të qeverisë së tij, Maria Lvova-Belova, duke i akuzuar ata për dëbim të paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina që në fakt përbën një krim lufte.
Rusia e pranon se ka transferuar mijëra fëmijë jashtë Ukrainës, por thotë se kjo është bërë ekskluzivisht për të mbrojtur jetimët dhe fëmijët e braktisur në zonën e luftës.
“Ne do të vazhdojmë të tërheqim vëmendjen, do të vazhdojmë të identifikojmë individët dhe institucionet e përfshira derisa këta fëmijë të ribashkohen me familjet e tyre”, tha për Reuters James O’Brien, kreu i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve të Departamentit të Shtetit.
Departamenti i Shtetit tha të enjten se Rusia përdor një sërë metodash për të transferuar fëmijët nga Ukraina, përfshirë marrjen e tyre nga institucionet shtetërore dhe gjatë operacioneve të “filtrimit” ku sipas tyre ata përcaktojnë nëse civilë ukrainas përbëjnë kërcënim ndaj agresionit rus, duke i dërguar më pas fëmijët në kampe në Krime dhe Rusi.
Veprimi i së enjtes shënon raundin e fundit të sanksioneve që Uashingtoni ka vendosur ndaj Moskës që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, i cili ka shkaktuar vdekjen e mijëra vetëve dhe ka kthyer qytete të tëra në gërmadha./VOA
Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë Memorandumin e M...
Haradinaj: Të tjerët japin grante për familjarë, ne do të ul...
Vullneti thotë se po e qetëson ezani brenda shtëpisë së Big ...
Mes shumë mungesash, Foda zgjedh 11-shen ndaj Lituanisë
Osmani e ambasadorët diskutojnë për hapat e integrimit të Ko...
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...