Google ADS

PDK me aksion simbolik para Qeverisë, në emër të VV-së hap konkurs për diler të drogës

13:36 | 24 Gusht 2023
K.B

Partia Demokratike e Kosovës përmes një aksioni simbolik ka reaguar përsëri për Aferën “Droga”, ku ishte i përfshirë asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili javën e kaluar u arrestua si pjesë e një grupi kontrabandues në Shqipëri, pasi iu zunë mbi 11 mijë e 300 doza drogë, që kapin shumën rreth gjysmë milioni euro.

Rinia e PDK-së ka vendosur një baner para Qeverisë së Kosovës me mbishkrimin “KONKURS për Diler të Drogës”.

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Trim Syla ka thënë se sot, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, po e shpallin këtë konkurs.

“Siç e dini, asamblisti i kësaj partie është zënë me drogë, me 11.300 doza ekstazi, prandaj, e kuptojmë që kanë mbetur keq për shpërndarës të drogës brenda dhe jashtë Kosovës”, theksoi ai.

Syla tha se Qeveria Kurti mund të mos ketë libra dhe bukë për qytetarët, po drogë ka me bollëk.

“Sot, kur po flasim, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës , nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë. Ndërkaq, rreth 100 mijë të rinj e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit. As nuk po mund ta paramendojmë edhe sa të tjerë do të ikin nga janari. Përdorimi dhe shpërndarja e drogës nga partia në pushtet, po i ndihmon edhe njërës edhe tjetrës. Kjo Qeveri ndoshta libra edhe bukë nuk ka, po drogë ka sa të duash”, shtoi ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme