Google ADS

Interesimi për dhurimin e gjakut është në rritje

12:55 | 24 Gusht 2023
A Z

Është rritur interesimi nga qytetarët për dhurim të gjakut, pas raportimeve se në QKUK  po punohet me rezervat e fundit të gjakut.

Në një prononcim për Arbresh.info, drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi, tha se gjatë këtyre ditëve është parë një interesim më i madh për të dhuruar gjak.

“Interesimi i qytetareve është prezent gjithmonë për dhurim te gjakut por gjatë këtyre ditëve është ngrit interesimi më shumë për të dhuruar gjak”, deklaroi ajo.

Duke folur në përgjithësi ajo tha se në muajt verës, në kohën e pushimeve numri i dhurueseve të gjakut është më i vogël përkundër organizimit të aktiviteteve.

“Jemi në muajt e verës dhe kohës së pushimeve ku fluksi i dhurimeve është më i vogël edhe përkundër organizimit të aktiviteteve të rregullta të sesioneve të dhurimit të gjakut. Në anën tjetër ishte një verë e nxehtë me kërkesa të shtuara për gjak dhe përbërës të gjakut e sidomos të rasteve emergjente të aksidenteve të  ndryshme të cilat për kohë të shkurt ndërrojnë gjendjen e stokut të gjakut”, pohoi Zhubi.

Tutje ajo tha se janë duke e realizuar një aktivitet me Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK), ku interesimi për dhurim është shumë i madh.

“Jemi duke realizuar aktivitetet e dhurimit të gjakut në FSK ku interesimi për dhurim është shumë i madh”, shprehet tutje ajo.

Duke krahasuar me vitin e kaluar ajo u shpreh se këtë vit është rritur numri i dhurimeve.

“Në krahasim me vitin e kaluar interesimi është rritur në ketë vit, numri i dhurimeve kishte ngritje krahasuar me vitin paraprak”, shton Zhubi.

Krejt në fund ajo  i inkuaroj të gjithë qytetarët e Kosovës për dhurim të gjakut, duke thënë se nëse dhuroni gjak do të shpëtoni jetë.

“Te gjithë qytetarët e Kosovës  i inkuaroj të vazhdojnë me dhurimin e gjakut edhe gjatë muajve të verës dhe kohës se pushimeve sepse disa vërtet kanë nevojë për gjak. Dhuroni gjak shpëtoni jetë”, përfundoi ajo.

Ndryshe dje ka filluar sesioni i dytë për këtë vit, i dhurimit vullnetar i gjakut në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK.

Ky aktivitet, tashmë tradicional, është bërë në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

Me këtë rast, personeli civil dhe ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes i është përgjigjur pozitivisht këtij aksioni, ku nga grumbullimi i gjakut shpëtohen jetë, pra, ndihmohen pacientët në nevojë të vendit tonë.

Aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim nëpër të gjitha kazermat e FSK-së.

Dhurimi vullnetar i gjakut është aktivitet i planifikuar dy herë në vit në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK dhe po ashtu, pjesëtarët e FSK-së gjithnjë janë të gatshëm t’u përgjigjen kërkesave të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut për nevojat e rasteve emergjente./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Të ngjashme