Google ADS

Kostoja e teksteve shkollore për një nxënës sillet rreth 80 euro

15:48 | 23 Gusht 2023
A Z

Kostoja e teksteve shkollore për një nxënës sillet rreth 80 euro. E pas 15 vitesh, për këtë vit shkollor prindërit pritet t’i blejnë tekstet vetë, e pastaj të rimbursohen nga Ministria e Arsimit.

Këtë paralajmërim të Ministrisë së Arsimit përfaqësues të Këshillit të Prindërve dhe Sindikatës së Arsimit po e vlerësojnë të papërballueshëm për prindërit dhe se një vendim i tillë do të duhej t’u bëhej e ditur prindërve dhe shkollave shumë më herët.

Paralajmërimi i ministres së Arsimit, Arberi Nagavci, që për këtë vit shkollor prindërit të sigurojnë vetë tekstet shkollore për fëmijët e tyre ka ngjallur reagime të shumta.

E më të shqetësuarit për këtë paralajmërim të Ministrisë së Arsimit janë prindërit. Salie Osmankaq, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, i tha Radio Kosovës së ministria para së të marrë këtë vendim duhet të analizojë më mirë të gjitha rrethanat dhe së prindërit dhe mësimdhënësit duhet të njoftoheshin shumë më herët, pasi janë zënë në befasi.

“Ministria duhet të analizojë më mirë të gjitha rrethanat, përpara se ta kthejë këtë paralajmërim në vendim. Përndryshe, një hapi i tillë, nëse është parë si më racional, atëherë do të duhej t’u bëhej i ditur prindërve dhe shkollave shumë më përpara, së paku në qershor, në mënyrë që pastaj të ketë kohë të mjaftueshme për përgatitjet e nevojshme. Sepse, çdo ndryshim kërkon kohë dhe përgatitje për implementim. Tani prindërit me të drejtë reagojnë, sepse janë zënë në befasi dhe janë të hutuar. Ata kanë nevojë për më shumë sqarime, ka thënë Osmankaq.

Edhe përfaqësues të Sindikatës së Arsimit po vlerësojnë së paralajmërimi i ministres Nagavci është skandaloz dhe i papërballueshëm për prindërit. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës së mijëra familje janë zënë në befasi dhe nuk do të jenë në gjendje t’u sigurojnë fëmijëve të tyre tekstet shkollore dhe për këtë fajtor është shteti.

“Paralajmërimi se MASH-ti nuk do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit është i papritur, është skandaloze. Kjo pasi që do t’i zë prindërit në momentin e fundit të papërgatitur për këtë çështje. Prindërit se paku e kanë ditur që bile tekstet shkollore do t’i kenë falas. Është fjala për ato mijëra familje që janë në gjendje të rëndë ekonomike e tash t’u bëhet barrë edhe blerja e teksteve shkollore, është e papërballueshme për ta”, tha ai.

Shpërndarja e librave falas nga Ministria e Arsimit për të gjithë nxënësit e shkollave fillore ka filluar që nga vitit 2008. Sipas udhëzimit administrativ, të publikuar në vitin 2016, për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, ky obligim i takon ministrisë. Vendimi nga Ministria e Arsimit, për blerjen e librave nga vetë prindërit pritet të merret gjatë këtyre dy ditëve.

Të ngjashme