Adresimi i plotë i Kurtit në mbledhjen e Qeverisë

12:55 | 23 Gusht 2023
K.B

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 156-të me radhë.

Kryeministri Albin Kurti ka folur për vizitën e tij që e pati në Athinë të Greqisë me liderë të Ballkanit Perëndimor me ftesë të homologut grek, Kyriakos Mitsotakis,

Ai, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka thënë se në darkën joformale me liderë ballkanik dhe takimet e tjera ka theksuar se anëtarësimi i Kosovë në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.

“Të gjitha shtetet që aspirojnë në BE duhet ta zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe fqinjësinë e mirë. Për fqinjësi të mirë, demokratike dhe evropiane është e domosdoshme njohja reciproke dejure dhe defacto, si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike sipas konventave evropiane”, ka thënë Kurti, përcjell Arbresh.info

Fjalimi i plotë i Kurtit:

Këtë të hënë në pallatin Maximos në Athinë u riafirmua një zotim i dhënë para njëzet vjetëve në Selanik për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Për të shënuar këtë datë, me ftesë të Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kishim një darkë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në praninë e Presidentes së Komisionit Evropian, zonjës Ursula von der Leyen, Presidentit të Këshillit Evropian, zotëri Charles Michel, dhe Kryeministrave të Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, si dhe me pjesëmarrjen e Moldavisë e të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenskyy ishte pjesëmarrës në këtë takim me Ballkanin Perëndimor me ç’rast edhe nxorëm një deklaratë të përbashkët. Kjo deklaratë mes tjerash bën thirrje për mbështetje të palëkundur për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës; ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve.

Ndërkaq në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë. Që të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë; dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e evropiane është e domosdoshme njohja reciproke, de-jure, e de-facto si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane.

Në takimet bilaterale me kryeministrin e Greqisë, presidenten e Komisionit Evropian dhe Kryeministrin e Kroacisë, theksova progresin ekonomik e demokratik të Kosovës, si dhe rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë. De-eskalimi në katër komunat në veri të vendit praktikisht ka ndodhur, ndërkohë që Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratisllavës.

Në prag të Samitit të Berlinit në Tiranë në këtë tetor, takimi në Athinë me pjesëmarrjen e presidentit Zelenskyy i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Për Kosovën, pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë në pallatin Maximos përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Greqisë.

Në takimet bilaterale dhe në darkën e përbashkët, po ashtu theksova se:

De-eskalimi në katër komunat në veri është rezultat në njërën anë i arrestimit të elementëve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, si dhe në anën tjetër i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi. Kanë kaluar dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz, e edhe më gjatë prej kur ka pasur protesta të dhunshme.

Tani duhet parandaluar ri-eskalimi. Kur s’ka protesta të dhunshme të planifikuara, të organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës. Kosova është gjithashtu duke zbatuar me përpikmëri dakordimin e arritur në Bratisllavë me 10 korrik të këtij viti.

Në kodrat shkëmbore të Athinës, 25 shekuj më parë lindi demokracia. Andaj në qytetin e Akropolit dhe Partenonit dje dhe pardje bëmë thirrje kundër agresionit e luftës për paqe, drejtësi dhe Evropë të Bashkuar./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme