Gjenerali Sergei Surovikin, një oficer i lartë rus që shërbeu gjatë luftës në Ukrainë vitin e kaluar dhe që kishte lidhje me shefin e grupit mercenar të Wagnerit, Yevgeny Prigzohin, raportohet se është liruar nga komanda e tij e Forcave Ajrore të Rusisë.
Raportimet në media – që u shfaqën për herë të parë më 22 gusht nga gazetari me lidhje të ngushta me Moskën, Aleksei Venediktov, dhe pastaj edhe nga media të tjera lokale – thonë se Surovikin nuk ishte shkarkuar, degraduar, apo burgosur siç besonin disa vëzhgues në prag të rebelimit të qershorit.
Por, Surovkin do të zëvendësohet përkohësisht si komandant i Forcave Ajrore nga gjenerali Viktor Aflazov, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti. Aflazov mbikëqyri forcat ushtarake vitin e kaluar kur Surovikin u vu në krye të luftës në Ukrainë.
Raportet, të cilat nuk ishin konfirmuar zyrtarisht nga Kremlini deri më 23 gusht, shtojnë dyshimet për fatin e Surovikinit pas rebelimit. Ai nuk është parë në publik që nga orët e para të rebelimit të 23 qershorit.
I njohur si “Gjenerali Armagedon” për komandën e tij të forcave ruse gjatë ndërhyrjes së tyre në luftën në Siri, Surovikin dhe stili i tij i pamëshirshëm i udhëheqjes ishte përkrahur nga Prigozhin dhe nacionalistë me mendësi të ngjashme, të cilët kanë kritikuar performancën e Rusisë në Ukrainë.
Pas marrjes së pushtetit në tetor, Surovikin urdhëroi një fushatë që po vazhdon ende për të shënjestruar infrastrukturën civile të Ukrainës – rrjetet e energjisë elektrike, stacionet e pompimit të ujit – me raketa dhe dronë ruse. Ai urdhëroi gjithashtu një tërheqje taktike të forcave ruse nga bregu perëndimor i lumit Dnjepër, në rajonin Kherson, mes përparimeve të Ukrainës atje.
Prigozhin dhe ish-oficeri i inteligjencës, Igor Strelkov, ishin ankuar se ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Rusisë, gjenerali Valery Gerasimov, kishin dështuar në përpjekjet e luftës dhe i bënë thirrje Putinit të shpallte luftë të gjithanshme dhe të mobilizonte plotësisht vendin për ta mundur Ukrainën.
Surovikin u hoq papritur nga komanda në janar dhe Gerasimov u vu në krye të përpjekjeve të përgjithshme të luftës.
Më 23 qershor, ushtarët e grupit Wagner të Prigozhinit e organizuan një rebelim të shkurtër, kur dërguan trupa drejt Moskës. Rebelimi u ndal pranë rajonit të Moskës pas ndërhyrjes së raportuar të liderit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.
Putin denoncoi kryengritjen, duke i quajtur pjesëmarrësit tradhtarë dhe duke sugjeruar ndjekje penale dhe trajtim të ashpër për ta.
Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur.
Prigozhin dhe disa ushtarë të Wagner u takuan me Putinin disa ditë më pas dhe Prigozhini ka vazhduar të lëvizë lirshëm brenda dhe jashtë Rusisë. Në një video të publikuar këtë javë, Prigozhin u shfaq në Afrikë, ku ai ka sipërmarrje të mëdha biznesi dhe një numër të konsiderueshëm trupash Wagner janë dërguar.
Ndërkohë, Surovikin u shfaq në një video në orët e para të kryengritjes, duke u bërë thirrje ushtarëve të Wagnerit ta ndalnin revoltën e tyre. Disa ekspertë thanë se ai mund të ketë qenë i detyruar ta dërgojë atë mesazh./rel
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...