Droni ukrainas shkatërron bombarduesin supersonik rus në Shën Petersburg

22:18 | 21 Gusht 2023
KRG

Një sulm me dron ukrainas ka shkatërruar një bombardues rus me rreze të gjatë në bazën ajrore Soltsy-2, në jug të Shën Petersburgut.

Imazhet e postuara në mediat sociale dhe të analizuara nga BBC Verify tregojnë avionin rus, një Tupolev Tu-22 teksa shkrumbohet nga flakët.

Në lidhje me ngjarjen nuk ka pasur reagime nga Kievi, por Moska ka thënë se një dron që u godit nga forcat ruse me armë të vogla arriti të dëmtojë një avion.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se është sulmuar nga një dron i tipit “kopter” rreth orës 10:00 me orën e Moskës një aeroport ushtarak në rajonin e Novgorod, pikërisht aty ku ndodhet baza Soltsy-2.

“Nuk pati viktima si rezultat i aktit terrorist”, thuhej në deklaratë.

Edhe pse shkatërrimi i një avioni të vetëm zor se do të ketë efekt në fuqinë e flotës ushtarake të Moskës që përbëhet nga 60 avionë, operacioni nxjerr në pah aftësinë në rritje të Kievit për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus.

Tu-22 është një bombardues supersonik i periudhës së Luftës së Ftohtë, me krahë luhatës, i koduar “Backfire” nga NATO.

Versionet moderne si Tu-22M3 mund të arrijnë shpejtësi 2,300 km/h dhe mund të mbajnë deri në 24,000 kg municione.

Tu-22 mund të udhëtojë me dyfishin e shpejtësisë së zërit dhe është përdorur gjerësisht nga Rusia për të sulmuar qytetet në Ukrainë./a2cnn

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme