Google ADS

Policia me megaoperacion kundër kanabisit në Shqipëri, asgjësohen 24 mijë bimë – marrin pjesë 7 mijë efektiv dhe 90 dronë

14:31 | 20 Gusht 2023
E.H

Policia e Shqipërisë ka realizuar sot një operacion kundër kanabisit në të cilën morën pjesë 7,000 punonjës të policisë dhe 90 dronë.

Operacioni u zhvillua në malësinë e Krujës, në Shkodër, në Lezhë, në Tropojë si dhe në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.

Policia e Shtetit njofton se si rezultat i kontrolleve dhe përdorimit të dronëve, janë asgjësuar në total 24, 220 bimë narkotike cannabis sativa.

Gjatë kontrolleve, në territorin e fshatit Arst, Pukë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve.

U shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi N. H., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, shtetasin K. B., për shpërdorim detyre.

Në Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15, 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz.

Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.

Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.

Në Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.

Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë.

Operacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë Shqipërinë, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme