Google ADS

Arrestimet në MINT, KDI: Të lirohet nga detyra ministrja Rozeta Hajdari

19:58 | 18 Gusht 2023
K.B

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar lirimin nga detyra të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Kjo kërkesë e KDI-së vjen pas aksionit të sotëm në këtë ministri, ku u arrestuan dy zyrtarë të saj Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi, të dyshuar për përfshirje në keqpërdorimet me rezerva shtetërore.

Ky institut thotë se lirimi nga detyra i ministres Hajdari është i nevojshëm “për të mundësuar kështu një proces penal efektiv e të pandikuar politikisht”.

Në reagimin e KDI-së thuhet se arrestimet e sotme të personave të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime me rezervat shtetërore, të menaxhuara nga MINT, janë tregues i pranisë së korrupsionit të nivelit të lartë edhe në sferat më të ndjeshme, që sipas tyre, kanë ndikim social të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, dhe se raste të tilla minojnë besimin e publikut në institucione.

“Jemi dëshmitarë se në Kosovë, rastet e korrupsionit të profilit të lartë shpeshherë kanë përfunduar pa aktgjykime dënuese, për shkak të mangësive në fazën hetimore – që për pasojë kanë prodhuar aktakuza jokualitative. Prandaj, KDI e sheh si të domosdoshëm zhvillimin e një procesi sa më të detajuar dhe gjithëpërfshirës të hetimeve, në mënyrë që personat potencialisht përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Poashtu KDI, ka kërkuar “nga të gjithë aktorët, e në veçanti zyrtarët në pushtet, që të rezervohen nga çfarëdo deklarimi apo përfshirje që mund ta ndikojë procesin e hetimit dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”.

Kurse pasditen e sotme ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se nuk e ka ndërmend dorëheqjen.

Hajdari, mes tjerash theksoi gjithashtu se nuk sheh dyshime te zyrtarët që janë arrestuar.

“Sa i përket dorëheqjes, unë nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe siguri të plotë. Nuk shoh asnjë arsye thjesht dyshim te zyrtarët të cilët janë ndalur sot”, u shpreh Hajdari.

Në lidhje me atë se sa ndjehet përgjegjëse për situatën e krijuar, Hajdari dha një mendim krejt ndryshe.

“Unë ndihem shumë krenare që popullatën tonë, qytetarët tonë i kam siguruar mbijetesë në kohë krize në luftën në Ukrainë. Kur ishin të mbyllur të gjitha mundësitë, për të marrë rezervë shtetërore nga shtetet e tjera fqinje apo ma larg, pasi të gjitha shtetet siguroheshin në veti për të ndalur rezervat eksportin e mallrave bazike”./Arbresh.info/

Të ngjashme