Mes shqetësimeve në rritje nga veprimet e Kinës dhe Koresë së Veriut, Presidenti Joe Biden do të presë të premten udhëheqësit e Japonisë dhe Koresë së Jugut në vendpushimin presidencial “Camp David” në afërsi të kryeqytetit amerikan.
Takimi i nivelit të lartë pritet të rezultojë në nisma të përbashkëta për mbrojtjen, teknologjinë dhe sigurinë ekonomike, me synimin për të forcuar bashkëpunimin midis Uashingtonit dhe dy aleatëve të tij aziatikë.
Programi i raketave balistike dhe bërthamore të Koresë së Veriut, shtimi i pranisë ushtarake kineze në Indo-Paqësor dhe thellimi i lidhjeve mes Moskës dhe Pekinit, ofrojnë një tablo të qartë lidhur me takimin trepalësh midis Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Pas takimit të tyre në muajin maj në Japoni, udhëheqësit do të bisedojnë të premten në vendpushimin presidencial “Camp David” pranë Uashingtonit, ku janë pritur shumë udhëheqës të huaj në të kaluarën.
“Do të shihni disa masa shumë konkrete që po marrim për të rritur kapacitetet për forcimin e sigurisë së tre vendeve tona dhe më gjerë, siguri për rajonin e Indo-Paqësorit”, tha kryediplomati amerikan Antony Blinken.
Masat pritet të përfshijnë një sistem të përmirësuar të paralajmërimit të hershëm kundër raketave të Koresë së Veriut, frenimin e kërcënimeve bërthamore, shtimin e stërvitjeve ushtarake dhe bashkëpunimit për sigurinë kibernetike.
Është një moment i jashtëzakonshëm historik në marrëdhëniet historikisht të ndërlikuara midis Seulit dhe ish-kolonizatorit të tij, Tokios.
“Korea dhe Japonia tani janë partnerë që ndajnë vlera universale dhe interesa të përbashkëta”, thotë Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol.
Në qendër të bisedimeve pritet të jetë edhe bashkëpunimi për të bllokuar eksportet në Kinë të gjysmëpërçuesve si dhe çështje të tjera të sigurisë ekonomike.
“Kina kundërshton formimin e klikave të të gjitha llojeve nga vendet përkatëse, si dhe praktikat e tyre të përkeqësimit të konfrontimit dhe rrezikimit të sigurisë strategjike të vendeve të tjera”, tha zëdhënësi i diplomacisë kineze Wang Wenbin.
Takimi i së premtes është thelbësor për përpjekjet e Presidentit Biden për një bashkëpunim më të institucionalizuar që do të vazhdojë pavarësisht ndryshimeve në udhëheqjen e tre vendeve aleate në të ardhmen./voa
Vrau 14 vjeçarin, Martin Cani “arrest në burg” për Mario Për...
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
FSK testoi kapacitetet e komunikimit C4I
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...