Dy ministra e tre zv.ministra dhanë dorëheqje, analistët: Dorëheqjet janë vetëm fillimi i fundit të kësaj qeverie

13:17 | 12 Gusht 2023
Diellza Gashi

Më 22 mars 2021 Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria Kurti 2 tashmë ka shumicën në Kuvend, por nga formimi i ekzekutivit për dy vjet e gjysmë qeverisje për arsye personale e profesionale dorëheqje kanë dhënë dy ministra e tre zëvendësministra.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se këto dorëheqje janë vetëm fillimi i fundit të kësaj qeverie, sipas tyre dorëheqjet e tyre janë justifikuar me probleme personale.

Analisti politik, Fatmir Sheholli për Arbresh.info thotë se dorëheqja e zëvendësministres Edona Maloku Bërdyna dhe e ministrit Armend Mehaj janë vetëm fillimi i shkapërderdhjes së kësaj qeverie.

“Dorëheqja e zëvendësministres Bërdyna e tash edhe e ministrit Mehaj si duket janë vetëm fillimi i shkapërderdhjes së kësaj qeverie e cila është zhytur në skandale e afera të panumërta”, thotë Sheholli.

Sipas Shehollit, do të ketë edhe dorëheqje të tjera nga kjo qeveri dhe se vendi të shkojë në zgjedhje e sheh si domosdoshmëri.

“Jam i bindur që javëve në vazhdim do të kemi edhe dorëheqje të tjera, kur dihet fakti se pesë ministra dhe dy zëvendësministra janë nën hetime, prandaj Kurti po ballafaqohet me situata të papërballueshme politikisht që natyrisht kryeministrin Kurti e kanë vendosur në “nokdaun” të pariparueshëm.  Por unë, prapë nuk e shohë shkuarjen në zgjedhje në rrezik por si domosdoshmëri”, shtoi tutje Sheholli.

Tutje, Sheholli thotë se këto dorëheqje janë vetëm fillimi i fundit te kësaj qeverie qe na solli buzë greminës.

“Këto dorëheqje edhe pse publikisht po thuhet për shkaqe familjare dhe për avancim intelektual, janë vetëm fillimi i fundit të kësaj qeverie që na solli buzë greminës në raport me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Kjo qeveri do të mbahet mend në histori të Kosovës si qeveri që e solli Kosovën nën sanksione dhe e ndaloi rrugëtimin e saj drejtë proceseve euroatlantike dhe evropiane”, përfundoi Sheholli.

Në anën tjetër, analisti politik, Bekim Kabashi, thotë se Qeveria Kurti nuk ka përmbushur objektivat e programit të saj dhe ku duhet të bënte riformatim të kabinetit të tij qeverisës.

“Qeveria Kurti, deri tani as përafërsisht nuk ka arritur t’i përmbush objektivat e programit të saj qeverisës të paraqitura në fushatën elektorale të vitit 2021. Kemi parë ngecje në shumë sektorë, dhe si rrjedhojë, kryeministri Kurti do të duhej të bënte një riformatim të kabinetit të tij qeverisës”, thotë Kabashi.

Ai thotë se kemi dështim në pothuajse të gjithë sektorët dhe pavarësisht kësaj nuk kemi parë iniciativë për ndryshim.

“Kemi dështim në sektorin e politikës së jashtme, në atë të shëndetësisë, arsimit, në infrastrukturë, e pothuajse në të gjithë sektorët. Pavarësisht kësaj, nuk kemi parë iniciativë për ndryshim nga lartë, poshtë, pra iniciativë për rifromatim të kabinetit të tij nga ana e kryeministrit, por dorëheqje të personave që kanë drejtuar sektorë të caktuar qeveritarë”, pohoi Kabashi.

Kabashi, thotë se pavarësisht se dorëheqjet e tyre janë justifikuar me probleme personale, sektorët se ku ato kanë udhëhequr lë dyshim se lidhen me dështimet dhe problemet në ata sektorë.

“Pavarësisht se dorëheqjet kur janë paraqitur, janë justifikuar me arsye personale, nëse i shikon sektorët se ku ato kanë ndodhur, lë dyshim të bazuar se ato lidhen me dështim dhe probleme në ato sektorë. Nëse marrim dhe analizojmë dorëheqjen e ish-ministrave, Rifat Latifi, dhe së fundi atë të Armend Mehajt, na del se ata kanë menaxhuar dy sektorë ku dihet se ka pasur probleme, dhe kjo na bën të besojmë, se dorëheqjet e tyre, më së paku kanë mundur të jenë për arsye personale”, përfundoi Kabashi./Arbresh.info/

Më 6 tetor 2022, kishte dhënë dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi thuajse një vit pas emërimit të tij në këtë pozitë.

Ish-ministri Latifi ishte kritikuar për menaxhim jo të mirë të këtij sektori si dhe për udhëtime të shpeshta në SHBA.

Ministri i dyte i cili dha dorëheqje ishte Armend Mehaj.

Mehaj dha dorëheqje nga kjo pozitë më 8 gusht 2023 për arsye familjare.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj për siç tha kontributin e pashoq gjatë punës së tij.

“E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin e të pashoq, ish-ministrin Armend Mehajn”, tha Kurti.

Përveç ministrave dorëheqje kanë dhënë edhe disa zëvendësministra nga Qeveria Kurti, Dukagjin Popovci, Nita Shala dhe Edona Maloku-Bërdyna.

Më 24 nëntor 2022, Dukagjin Pupovci ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit.

Më 1 nëntor 2022, dorëheqje nga pozita e zëvendësministre së Drejtësisë kishte dhënë edhe Nita Shala.

Së fundit nga pozita e zëvendësministres së Arsimit ka dhënë edhe Edona Maloku-Bërdyna, ajo dha dorëheqje më 1 gusht 2023./Arbresh.info/Edona Krasniqi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme