Google ADS

Vritet kandidati për president në Ekuador

07:53 | 10 Gusht 2023
Diellza Gashi

Kandidati për president të Ekuadorit, Fernando Villavicencio, është qëlluar për vdekje përgjatë fushatës zgjedhore.

Villavicencio, pjesëtar i Asamblesë Kombëtare të shtetit, është sulmuar të enjten pasi është larguar nga një takim me mbështetës në qytetin verior Kuito.

Një pjesëtar i ekipit të fushatës së tij, u ka thënë mediave lokale se Villavicencio ka qenë duke hyrë në makinë kur një burrë i ka dalë përpara dhe e ka qëlluar në kokë.

Presidenti aktual Guillermo Lasso, është zotuar se ky “krim nuk do të mbetet pa ndëshkim”.

Dëshmitarët kanë thënë se Villavicencio, 59-vjeçar, është qëlluar tri herë me armë.

I dyshuari është plagosur, po ashtu, gjatë shkëmbimit të plumbave me pjesëtarë të sigurisë, dhe më vonë ka vdekur nga plagët, kanë thënë autoritetet.

Në total, nëntë persona është thënë të jenë plagosur në këtë incident.

Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet do të mbahet më 20 gusht.

Lasso, i cili nuk ka garuar për një mandat të ri, ka thënë se është “i shokuar” nga vrasjet, dhe ka shtuar se “krimi i organizuar ka jetuar gjatë, mirëpo pesha e rëndë e ligjit do t’iu bjerë mbi kokë të gjithëve”.

Rritja e shkallës së krimit, e nxitur nga prezenca më e madhe e karteleve të drogës në Ekuador, është çështja kyçe e diskutimit përgjatë fushatës presidenciale./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme