Politikanët perëndimorë: Vuçiq po përshkallëzon tensionet me Kosovën

16:38 | 6 Gusht 2023
E.G

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe janë ftuar nga politikanë perëndimorë që të reagojnë ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë.

Përmes një letre, politikanë kryesorë nga vende të ndryshme të Perëndimit u kanë theksuar se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq po përshkallëzon gjithnjë e më shumë tensionet me Kosovën.

“Përpjekjet e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovës duhet të dënohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon t’i minojë zgjedhjet e lira dhe fer”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell,

Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly, raporton mediumi i njohur gjerman “Tagesspiegel”.

Në këtë letër të cilën e ka nënshkruar edhe kryetari i politikës së jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, Michael Roth nga radhët e SPD-së dhe senatori amerikan Bob Menedez komunitetit ndërkombëtar mes tjerash i bëhet thirrje që të mësojnë nga e kaluara dhe të mos ndiqet politika ku në qendër është Beogradi.

“Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës”, thuhet në letër.

Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj forcës së sigurisë së NATO-s KFOR nënvizon në letër “mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike”.

Letra po ashtu përmend edhe zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, e të cilat nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm.

“Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”, thekson tutje letra e politikanëve Perëndimorë ku po ashtu bëhet thirrje që të kthehet ekuilibri në proporcionalitetin e marrëdhëniet Kosovë – Serbi./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme