Foto e Saimir Tahirit në burg/ Reagon Drejtoria e Burgjeve: Është bërë nga personeli, në asnjë rast nuk ka pasur shkelje

19:13 | 4 Gusht 2023
KRG

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar në lidhje me foton që qarkullon në rrjet ku duket ish-ministri Saimir Tahiri, i cili po konsumon ushqim nga selia e burgut.

Me anë të një njoftimi, Drejtoria e Burgjeve njofton në asnjë rast nuk ka pasur shkelje dhe se fotografia është bërë nga stafi i IEVP ‘Kosova e Lushnjës’.

Në lidhje me pijet alkoolike, thuhet se aty ka vetëm shishe me ujë dhe pije freskuese dhe se alkooli është i ndaluar.

 

Deklarata:

Dëshirojmë t’ju informojmë se personat në fotografi, në kohën kur është bërë kjo foto, vuanin dënimin me statusin e ‘të burgosurit’ në IEVP ‘Kosova e Lushnjës’.

Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre.

Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese.

Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.

Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi.

Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të bëjmë të ditur se ky institucion është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues.

Drejtoria e Burgjeve ju falenderon për ndjeshmërinë dhe është e hapur për adresimin e saktë të çdo shqetësimi me ndjeshmëri të lartë publike.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme