Google ADS

Hovenier-Listës Serbe: E dimë saktësisht ku është kufiri, ju jeni parti opozitare e Kosovës

18:10 | 1 Gusht 2023
E.G

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka ripërsëritur kërkesat e ShBA-së për de-eskalimin e situatës në veri të vendit.

Ndër të tjera ambasadori amerikan ka folur edhe për takimin e Listës Serbe me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan Arbresh.info.

Hovenier theksoi se SHBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.

Ai shtoi se nuk duhet vënë në pyetje se Kosova është shtet sovran dhe se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë.

“Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, tha Hovenier.

Katër ditë më parë, Lista Serbe në takim me Escobarin ka përmendur respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara, duke kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këto komente ambasadori amerikan i ka bërë pas ceremonisë së dorëzim-pranimit të donacionit prej 250 kamera të trupit e 113 të instaluara në vetura për Policinë e Kosovës../Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme