Google ADS

Maqedoni e Veriut, ministrat nga BDI japin dorëheqjen me kusht që opozita të votojë ndryshimet kushtetuese

16:15 | 1 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Në Maqedoninë e Veriut, ministrat nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, që janë pjesë e koalicionit qeverisës dorëzuan letrat e dorëheqjeve të tyre me kusht që opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE që të votojë ndryshimet kushtetuese.

Dorëheqjet do të hynin në fuqi në mënyrë automatike pasi VMRO-ja të votonte pro ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë kusht për vijimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Ministrat e BDI-së i dorëzuan kryeministrit Dimitar Kovaçevski dorëheqjet e nënshkruara.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate në pushtet thotë se tani i takon drejtuesit opozitar Hristijan Mickovski të dëshmojë nëse është për vijimin e rrugës europiane të vendit, apo jo.

Pavarësisht dorëheqjeve nga ministrat e BDI, VMRO-ja e opozitës thotë se “ky hap është një manovër politike për shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit publik”.

Kjo parti këmbëngul që dorëheqjet e ministrave të BDI-së të jenë të parevokueshme. Po ashtu kërkon që të mbahen zgjedhje të parakohshme sa më shpejt të jetë e mundur.

VMRO-ja ka ndryshuar qëndrimin e theksuar në muajin qershor sa i takon ndryshimeve kushtetuese kur vuri si kusht largimin e BDI-së nga qeveria. Tani ajo shprehet kundër ndryshimeve të Kushtetutës.

Nga ana tjetër, analistët në Shkup vlerësojnë se VMRO-DPMNE-ja do t’i bënte ndryshimet e Kushtetutës në rast se vjen në pushtet në zgjedhjet e radhës dhe se refuzimin tani e bën për të fituar pikë politike tek elektorati maqedonas, i cilli sipas sondazheve kundështon futjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Ndryshimet kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës. Ky është një kusht që Bashkimi Evropian i ka vënë Maqedonisë së Veriut për të vazhduar fazën e dytë të bisedimeve për anëtarësim, pas një kompromisi që Shkupi dhe Sofja arritën vitin e kaluar.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka caktuar datën 18 gusht për hapjen e debatit mbi këto ndryshime, por pa votat e opozitës maqedonase nuk arrihet dot numri i nevojshëm prej dy të tretave për t’i dhënë dritën jeshile këtyre ndryshimeve.

Shumica parlamentare dhe partitë shqiptare të opozitës të cilat janë shprehur se do të mbështesin ndryshimet, nuk arrijnë numrin e duhur prej 80 votash në parlament. Të gjitha së bashku, ato kanë 75 ligjvënës.

Disa analistë flasin për komunikimin e shtuar së fundmi të qeverisë me disa deputetë të VMRO-së për t’i bindur ata që të votojnë pro ndryshimeve. Maqedonia e Veriut ka afat deri në nëntor që të miratojë ndryshimet e kushtetutës, për të vazhduar bisedimet për integrm në BE./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme