Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për kthim në rigjykim rastin e Suzana Zogiani-Sekiraqës, e cila ishte dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e bashkëshortit.
“Gjykata, me shumicë votash, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në merita; dhe (ii) konstatoi se Aktgjykimi [Pml.nr.310/2020] i 28 prillit 2021 i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. Nr. 133/2020] të 3 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PAKR.nr.37/19] të 24 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të parimit kushtetuese të barazisë së armëve, raporton Arbresh.info.
“Bazuar në të lartcekurat, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të parimit kushtetues të barazisë së armëve dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me garancitë procedurale të mishëruara në paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, Gjykata shpalli të pavlefshme të njëjtat dhe ktheu çështjen përkatëse penale në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses, të cilin mund ta gjeni të plotë duke klikuar këtu.
Po ashtu, gjykata konstaton se prokuroria dhe mbrojtja nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë para gjykatave të rregullta.
“Në rrethanat e rastit konkret dhe në kontekst të parimit kushtetues të barazisë së armëve, Gjykata, ndër tjerash, theksoi që në procedurat gjyqësore para gjykatave të rregullta në këtë proces penal, prokuroria dhe mbrojtja, nuk ishin trajtuar në mënyrë të barabartë, ndër tjerash, duke marrë parasysh që (i) parashtruesja e kërkesës dhe/ose mbrojtja e saj, në asnjë fazë të procedurës penale, nuk kishin pasur mundësinë e ballafaqimit të dëshmitarëve apo dëshmive të këtyre të fundit, deklaratat e të cilëve ishin lexuar në procesin gjyqësor, por që bazuar në arsyetimet e gjykatave të rregullta, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim procedural në mënyrë që parashtrueses të kërkesës të mund të i jetë siguruar një mundësi e tillë; (ii) kërkesat e parashtrueses së kërkesës dhe/ose mbrojtjes së saj për të paraqitur dëshmitë, përfshirë ato të autoriteteve franceze, bazuar në të cilat do të mund të vërtetohej se e njëjta ishte viktimë e dhunës në familje, ishin refuzuar nga të gjitha instancat gjyqësore; dhe (iii) në rrethanat specifike të rastit konkret, refuzimi i vazhdueshëm i gjykatave të rregullta për të bërë”, thuhet në sqarimin e Kushtetueses për këtë vendim.
Ndërkohë më 20 maj 2021, Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtëses së të dënuarës Suzana Zogiani-Sekiraqa, e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Prishtinës të datës 17 dhjetor 2019 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës të datës 3 korrik 2020, për vrasje të rëndë.
Ndryshe, më 21 shtator 2018, në Francë, Suzana Zogiani-Sekiraqa, ka vrarë bashkëshortin e saj duke e goditur 11 herë me sëpatë dhe se sipas saj, këtë akt e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë teksa abuzonte me djalin e tyre. Zogiani-Sekiraqa më 17 dhjetor 2019 ishte shpallur fajtore për vrasje të rëndë nga Gjykata e Prishtinës, me ç’rast ishte dënuar më 25 vite burgim, me të cilin dënim i ishte llogaritur dhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 5 tetor 2018./Arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...