Google ADS

U shuan 40 jetë dhe u lënduan mbi shtatë mijë persona në aksidente

11:07 | 30 Korrik 2023
E.H

40 persona kanë humbur jetën dhe mbi 7 mijë persona pësuan lëndime si pasojë e aksidenteve që kanë ndodhur në Kosovë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës për Arbresh.info.

Kjo shifër është alarmante, ani pse krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rënie të humbjes së jetëve për 10 persona.
Sipas policisë, në periudhën janar-qershor të vitit 2023, janë regjistruar mbi 9 mijë aksidente.

“Nga janari deri në muajin qershor të këtij viti janë regjistruar gjithsej 9 mijë e 930 aksidente. Numri i aksidenteve me persona të lënduar brenda kësaj periudhe, ishte 3 mijë782 aksidente, ndërsa në këto aksidente mbetën të vdekur 40 persona. Nga këto aksidente u lënduan gjithsej 7 mijë 247 persona, prej tyre 6 mijë e 113 aksidente me dëme materiale”, bënë të ditur policia.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka vazhduar me shqiptimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve të cilat kanë thyer rregullat në trafik, e si shkak që nuk i janë përshtatur rregullave të vozitjes.

Policia e Kosovës në këtë periudhë ka shqiptuar 309 mijë e 403 tiketa për drejtuesit e automjeteve në trafik.

Njohësi i sigurisë rrugore në komunikacion, Nol Dedaj për Arbresh.info, tregon se disa nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejtë në aksidente, është faktori njeri, automjeti dhe faktori rrugë.

“Faktorët që ndikojnë drejtpërdrejtë në aksident është faktori njeri, faktori automjet edhe faktori rrugë. Sigurisht njëri prej elementeve të faktorit njeri, është zhvillimi i shpejtësisë ose tejkalimi i shpejtësisë së lëvizjes edhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit”, pohon ai.
Sipas Dedaj, drejtuesit e automjeteve duhet të kenë një masë edukative më pas t’i nënshtrohen gjobave nëse kjo nuk arrihet përmes masave edukative.

Ai thotë se duhet të ndërmerren më shumë masa preventive për parandalimin e aksidenteve.

“Gjobat sigurisht që kanë efektin e vetë sa i përket sigurisë në komunikacionin rrugor, por drejtuesit e automjeteve duhet të kenë një masë edukative më pas ti nënshtrohen gjobave në qoftë se nuk arrihet përmes masave edukative. Masat preventive-edukative si dhe reklamat në media të ndryshme do të shërbejnë që vetëdijesimi i drejtuesve të automjeteve të jetë më i madh, pasi që e dinë me çfarë situata do të ballafaqohen me raste të zhvillimit të shpejtësisë ose në raste të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit”, thotë Dedaj për Arbresh.info.

Njohësi i sigurisë rrugore në komunikacion, tregon se rrugët më të pasigurta për sigurinë e komunikacionit, rrugor janë rrugët nacionale dhe rrugët regjionale dhe aty ku zhvillohet qarkullimi në dy kahje të kundërta.

“Rrugët më të pasigurta për sigurinë në komunikacionin rrugorë janë rrugët nacionale, rrugët regjionale atu ku zhvillohet shpejtësia 80-50 km/h dhe ata të cilët janë në dy shirita të qarkullimit me kahje të kundërt si dhe rrugët lokale aty ku shpejtësia zhvillohet 50km/h’’, përfundoi ai.

Ndryshe, të ngjashme pothuajse ishin edhe shifrat për aksidentet e ndodhura gjatë vitit 2022.

Në periudhën janar-qershor 2022 në Kosovë janë raportuar gjithsej 9 mijë e 352 aksidente.

Si shkak i këtyre aksidenteve kishin humbur jetën 50 persona nga gjithsej 43 aksidente fatale.

Në këtë periudhë vjetore nga Policia e Kosovës janë raportuar gjithsej 3 mijë 518 aksidente me të lënduar, ku të lënduar mbetën 6 mijë e 569 qytetarë.

Ndërsa nga mbi 9 mijë e 352 aksidente gjithsej, në total ishin gjithsej 5 mijë e 791 aksidente me dëme materiale. Policia e Kosovës në këtë kohë pati shqiptuar gjithsej 321 mijë e 594 gjoba për drejtuesit e automjeteve në komunikacion./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme