“Lufta” e Policisë së Kosovës me hakerët/ Flasin njohësit e sigurisë dhe kibernetikës

12:57 | 29 Korrik 2023
K.B

Policia e Kosovës është duke u përballur me sulme kibernetike, në emër të së cilës qytetarëve po u dërgohen e-maile dhe dokumente të falsifikuara, përfshirë edhe emërat e zyrtarëve të lartë të këtij institucioni.

Madje, këto e-maila po përmbajnë logo të institucioneve shtetërore, përfshirë Qeverinë e Kosovës dhe Policinë, raporton Arbresh.info

Por, njohësit e çështjeve të sigurisë dhe ata të kibernetikës, thonë se nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë dhe kjo e bën më shqetësuese situatën

Drejtori i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë, Mentor Hoxhaj, thotë se nuk është hera e parë që konstatohet një mashtrim i tillë dhe më shqetësuese sipas tij, është e kur të përsëritet.

“Nuk është hera e parë, që konstatohet një “mashtrim” i tillë. Me të cilët personat e tretë pranojnë e-mail “mashtrues” kinse është dërguar nga Policia e Kosovës. Shqetësuese është, kur rasti konstatohet se është përsëritur”, thotë Hoxhaj për Arbresh.info.

Ai e quan sfiduese, situatën kur hakerët arrijnë të kenë qasje në e-mailat zyrtarë.

“Sfiduese është, në rastet kur në mënyrë të paautorizuar (nga hakerët) arrihet qasje në e-mailat zyrtarë dhe dërgohen emali. Tanimë, ka mjaftë raste, ku viktimat kanë qenë nga sektori private nga qasja e paautorizuar e e-mailave dhe ku ka pasur relativisht dëme të mëdha materiale”, thotë ndër të tjera Hoxhaj.

Sipas tij, falsifikimi i e-mailave është i lehtë.

“Falsifikimi i e-mailave është relativisht i lehet. Andaj dhe duhet marruar masat përkatëse të sigurisë së informacionit. Në rastin konkret minimalisht duhet nënshkrimin “S/MIME” që përmes kësaj mase të sigurisë të konstatohet se mesazhi që ka ardhur të jetë nga një dërgues specifik dhe jo nga dikush që pretendohet të jetë dërguesi” tregon ai.

Shala: Përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë

Në anën tjetër, njohësi çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se krimi kompjuterik është vepër penale.

“Krimi kompjuterik është një vepër penale relativisht e re në Kosovë, duke marrë parasysh që kohëve të fundit po kemi ngritje të tilla të këtyre veprimeve kriminale” pohon Shala.

Ai thotë se ka një aktivizim institucional për t’i sjellur personat që qëndrojnë prapa këtij veprimi.

“Policia e Kosovës është duke u ballafaquar me një veprim të tillë, por që sipas asaj që vërehet ka një aktivizim institucional për t’i sjellur para drejtësisë personin/at që qëndrojnë mbrapa këta veprimi”, pohon ai.

Shala, thotë se falsifikimi i këtyre dokumenteve dëshmohet të jetë prishje e imazhit të Policisë së Kosovës.

Ndryshe, në reagimin e policisë thuhet se po shpërndahen disa emaila në emër të zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës, të cilat janë të falsifikuara dhe që përmbajnë logon e EUROPOL-it.

“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në reagim.

Po ashtu me qëllim që të sqarohet opinioni dhe personat të cilët mund të pranojnë ndonjë e-mail apo dokument të tillë, Policia e Kosovës i ka bërë këto dokument të falsifikuar dhe formën e e-malit, po ashtu të falsifikuar, me qëllim që të mos krijoj shqetësime të panevojshme te qytetarët./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme