Të premten e 28 korrikut u mbajt seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për sesionin pranveror.
Këto seanca nga analistët e Kosovës, po konsiderohen si performanca më të dobëta që nga periudha e pasluftës.
Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNj), thotë se ekziston një ndarje e madhe mes pozitës dhe opozitës.
Shala: Ky sesion ishte një shpërfillje dhe nënçmim i madh që pozita ia ka bërë opozitës
“Kjo ka qenë periudha më e dobët e Kuvendit të Kosovës që nga periudha e pasluftës. Është një ndarje e madhe midis opozitës dhe pozitës, është një shpërfillje dhe nënçmim i madh që pozita ia ka bërë opozitës”, deklaroi ai për Arbresh.info
Shala, thotë se në asnjë rast pozita dhe opozita nuk janë pajtuar mes vete.
“Kurrë në asnjë rast pozita nuk është pajtuar si duhet me opozitën, vetëm në ato raste kur ka pasur nevojë për të nënshkruar ndonjë marrëveshje ndërkombëtare “, thotë ai.
Tutje duke folur për fjalorin e përdorur në Kuvendin e Kosovës, Shala thotë se ka qenë në nivelin më të ulët të mundshëm, dhe se shumica e ligjeve kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
“Fjalori i përdorur në Kuvend ishte në nivelin më të ulët shumica e ligjeve që janë propozuar kanë përfunduar duke u dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, disa janë rrëzuar dhe disa do të rrëzohen në të ardhmen, ka qenë një mungesë e skajshme e bashkëpunimit midis opozitës dhe pozitës”, thekson ai.
Tutje ai shprehet se në vend që Kuvendi të kërkojë llogari nga Qeveria, po ndodh e kundërta.
“Ky kuvend e ka vështirë, në vend që kuvendi të kërkojë llogari nga Qeveria, po ndodh e kundërta pasi Qeveria po ndërhyn në punën e kuvendit”, përfundoi ai.
Njësoj mendon edhe publicisti, Musa Sabedini.
Sabedini: Shumica e deputetëve kanë prezantuar interesa personale
Ai thotë se angazhimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për këtë sesion ka qenë i dobët.
“Angazhimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovën për sesionin pranveror mendoj se është i dobët, i mangët në debate e diskutime dhe thjeshtë një Kuvend që është përshkruar me dembeli nga ana e deputetëve dhe armiqësi të vjetra politike. Pothuajse pak deputet janë treguar se janë në gjendje të flijojnë interesat partiake dhe t`i shërbejnë qytetarëve ose votuesve të tyre”, ka thënë ai për Arbresh.info
Sipas Sabedinit, shumica e deputetëve kanë prezantuar interesa personale, duke i shmangur problemet jetike që ka vendi ynë.
“Aty shumica e deputetëve kanë paraqitur ose prezantuar interesa partiake, klanore e personale duke shmangur problemet jetike që ka Kosova. Mendoj se ky Kuvend është më i dobëti i të gjitha kohërave të pas luftës, një Kuvend shterpë që Kosovës nuk i ka sjell as ligje e as projekte në rrafshin legjislativ”, shprehet Sabedini.
Tutje ai shprehet se deputetët vazhdojnë të jenë viktima dhe argat të shefit të partisë, duke përmendur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas tij asnjë hapë nuk e kanë ndërmarrë pa e pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Deputetët fatkeqësisht vazhdojnë të jenë viktima dhe argat të shefit të partisë dhe kjo është shumë e shprehur tek deputetët e LVV të cilët asgjë dhe asnjë hap se kanë ndërmarrë pa e pyetur shefin e tyre Albin Kurti. Janë për gjynah këta deputet që detyrohen të jenë peng të bindjeve politike të dirigjuara nga partia, në vend se të jenë atraktiv dhe dobiprurës për qytetarin dhe shtetin”, përfundoi ai.
Kurse Arber Thaçi, monitorues zyrtar i Kuvendit të Kosovës tha se janë në përgatitje për të nxjerrë gjithë punën dhe statistikat për këtë sesion pranveror.
Ai për Arbresh.info tha se ato të dhëna do të publikohen javën që vjen.
Vlen të përmendet se ky sesion pranveror ndonëse u konsiderua si më i dobëti, pati shumë ngjarje.
Si më e rëndësishmja dhe më skandalozja ishte rrahja që ndodhi më 13 korrik.
Rrahja ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti, kur atij iu afrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku.
Ministri Hekuran Murati reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit.
Kjo rrahje në Kuvend ndodhi pas publikimit të incizimeve të bisedave të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me nënkryetarin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Kujtojmë se as Seanca e fundit Kuvendit të Kosovës, nuk është mbajtur për faktin e mungesës së kuorumit.
Kështu që Kuvendi shkoi në pushime pa mbajtur seancën e fundit të paraparë për këtë sesion pranveror.
Kurse janë miratuar gjithsej 44 ligje.
Kujtojmë se Kuvendi zhvillon punimet sipas një kalendari, të propozuar nga Kryesia, në konsultim me Qeverinë, me grupet dhe komisionet parlamentare.
Gjatë vitit të kaluar janë miratuar 55 ose (47.41) ligje, në procedurë janë 61 ose (52.59%)”, dhe janë mbajtur gjithsej 31 seanca./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen
“Kam 90 për qind gjasa që s’do mbijetoj”, zbardhet biseda te...
Turqia shkarkon edhe dy kryetarë kurdë
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Angela Merkel shpreh ‘shqetësim të madh’ për rolin e Elon Mu...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...