Koreja e Veriut paraqiti raketa me aftësi bërthamore dhe dronë të rinj sulmues në një paradë të madhe ushtarake të organizuar në Phenian për udhëheqësin Kim Jong Un dhe delegacionet nga Kina dhe Rusia, njoftuan mediat shtetërore të Koresë së Veriut të premten.
Parada e së enjtes në mbrëmje u mbajt për të përkujtuar 70-vjetorin e përfundimit të Luftës Koreane, e festuar në Korenë e Veriut si “Dita e Fitores”.
Delegacionet kineze dhe ruse, përfshirë ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, ishin vizitorët e parë në Korenë e Veriut që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
Pjesëmarrja e tyre në paradën me raketat bërthamore të Koresë së Veriut — të cilat janë ndaluar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara me mbështetjen e Kinës dhe Rusisë – ishte në kontrast me vitet e mëparshme, kur Pekini dhe Moska kërkuan të distancoheshin nga armët bërthamore dhe raketat balistike të fqinjit të tyre.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, parada përfshinte raketat balistike ndërkontinentale të Koresë së Veriut, Hwasong-17 dhe Hwasong-18, të cilat besohet se kanë rrezen për të goditur objektiva kudo në Shtetet e Bashkuara.
Në paradë u shfaqën gjithashtu dronët e rinj sulmues dhe spiun, raportoi agjencia KCNA.
Në një fjalim në paradë, ministri i Mbrojtjes gjenerali Kang Sun Nam akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre për rritjen e tensioneve në rajon.
Kim Jon Un organizoi një pritje dhe pati një drekë me ministrin rus të Mbrojtjes Shoigu, ku udhëheqësi i Koresë së Veriut u zotua për solidaritet me popullin rus dhe ushtrinë e tij. Ministri Shoigu vlerësoi ushtrinë e Koresë së Veriut si më të fortën në botë dhe të dy diskutuan bashkëpunimin strategjik të sigurisë dhe mbrojtjes, tha agjencia KCNA.
Uashingtoni ka akuzuar Phenianin se i ka ofruar armë Rusisë për përpjekjet e saj të luftës në Ukrainë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara ishin “tepër të shqetësuara” për lidhjet mes Moskës dhe Phenianit.
Pheniani dhe Moska kanë mohuar kryerjen e ndonjë transaksioni armësh.
Por prania kineze dhe ruse në paradën me raketa balistike të ndaluara hedh dyshime mbi gatishmërinë e këtyre vendeve për të zbatuar sanksionet, tha Leif-Eric Easley, profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Ewha në Seul.
Rusia dhe Kina kanë kundërshtuar përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Koresë së Veriut lidhur me zhvillimin e raketave balistike, duke argumentuar se masat ekzistuese duhet të lehtësohen për qëllime humanitare dhe për të ndihmuar në tërheqjen e Phenianit për të negociuar.
“Nuk është mirë kur dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbështesin hapur një regjim që shkel të drejtat e njeriut dhe shkel rezolutat që ndalojnë zhvillimin e bërthamor dhe të raketave,” tha zëdhënësi Easley.
Zëdhënësja e OKB-së, Stephane Dujarric, tha: “Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, ndajnë të njëjtën përgjegjësi për të mbështetur rezolutat e Këshillit të Sigurimit”./VOA
Veshja më e shtrenjtë në historinë e boksit – Jake Paul kish...
Irani mohon që i dërguari i tij në OKB është takuar me Elon ...
E ardhmja dhe sfidat e kombëtares kosovare nën udhëheqjen e ...
Shtohen aksidentet në Shqipëri
Zelensky: Putin nuk është i interesuar për negociata
Policia e Kosovës kërkon besim në veri – qytetarët i d...