Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK) më 27 korrik, ka çuar në arrestimin e drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, ish-kreut të Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, një biznesmeni të njohur dhe disa pjesëtarëve të grupeve kriminale.
SPAK-u kishte lëshuar 15 urdhërarreste në këtë rast, prej të cilave u ekzekutuan vetëm gjashtë gjatë operacionit të enjten.
Të arrestuar janë Xhevahir Lita, prokuror në qarkun e Kukësit, Oltion Bistri, ish-shef i Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, Ardit Hasanbega, ish-shef i Zyrës kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shkodrës, i cili u shkarkua nga policia një vit më parë, ndërsa ishte me detyrë në Berat.
U arrestua edhe biznesmeni i njohur në Shqipëri, Pëllumb Gjoka, i cili është denoncuar nga opozita për lidhjet e tij me qeverinë dhe përfitim të pasurive publike.
SPAK thekson se “janë dokumentuar vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit të nivelit drejtues, punonjës të policisë të shtetit të nivelit të lartë drejtues, si dhe prokurori i arrestuar, të cilët cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit”.
Në njoftimin për mediat nuk jepen detaje të tjera, por burimet bëjnë me dije se punonjësit e policisë i kishin njoftuar paraprakisht anëtarët e grupeve kriminale për aksionet që do të zhvilloheshin për arrestimin e tyre, ndërsa prokurori i arrestuar ka ndikuar në mbylljen e hetimeve.
Në mesin e të shpallurve në kërkim është edhe Ervis Martinaj, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, i shpallur i zhdukur. Për të zbardhur fatin e tij, kryeministri Edi Rama, i pati dhënë 100 ditë afat policisë. Që atëherë ka kaluar thuajse një vit, por deri tani asgjë nuk është zbuluar.
Në kërkim është edhe Prek Kodra. Emri i tij përmendej në një email të Njësisë së Antiterrorit të Policisë së Kosovës drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri, Gledis Nanos, në vitin 2021, ku pretendonte se “do të vriste kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
Dokumenti u publikua nga hakerët mes mijëra komunikimeve të policisë së shtetit shqiptar.
“Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në 26 banesa dhe ambiente ku janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri, maska, pajisje elektronike, pajisje monitorimi (serverë dhe kamera) me të cilat vëzhgoheshin ambiente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Prokuroria e Posaçme e ka zhvilluar këtë operacion në bashkëpunim me Eurojust-in, Europol-in dhe agjencitë për zbatimin e ligjit nga Belgjika, Holanda dhe Franca. Shtetasit e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim rezultojnë të përfshirë në aktivitet kriminal në Shqipëri dhe në disa vende evropiane.
Hetimet kanë zbuluar se ky grup kriminal është përgjegjës për pesë vrasje në Shkodër dhe Tiranë gjatë katër vjetëve të fundit, si dhe për një plagosje të ndodhur në 2021 në Shkodër. Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK-u, është dokumentuar se personat me precedentë kriminale, kanë kryer edhe ngjarje të tjera, për të cilat vijojnë hetimet./REL/
Space X lanson edhe një raketë testuese
Lautaro Martinez barazon rekordin e golave të Maradonës për ...
Çfarë pritet të ndodhë në Zvicër në vitin 2025?
“Isha shtatzënë kur u preka me tumor, humba edhe shikimin”/ ...
Anisa qan sërish, Lela i qëndron pranë
Zhduket një 36-vjeçare në Korçë, detajet e para