Google ADS

Zgjedhjet për kryetar, grupi parlamentar i PD akuza Bashës: Akt turpi për të dëmtuar partinë për interes personal

17:16 | 28 Korrik 2023
KRG

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka akuzuar Lulzim Bashën se po përçan Partinë Demokratike, me njoftimin për zgjedhjen e nesërme të kryetarit demokrat. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se ajo që po bën Lulzim Basha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Sipas grupit demokrat “interesi i Lulzim Bashës po duket që është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal”.

“Proceset antistatutore, nuk janë asgjë tjetër, vetëm një akt turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës”, thuhet në deklaratë.

 

Deklaratë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike apelon për maturi, për ofrimin e zgjidhjeve dhe jo thellimin e përçarjes; forcimin e partisë dhe jo shndërrimin e saj një parti familjare; respektimin e vendimit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe jo rrugë antistatutore që kanë treguar që nuk të çojnë askund përveçse mbajnë nën konflikt permanent PD dhe forcojnë Edi Ramën.

Dje Këshilli Kombëtar i PD, organi më i lart vendimmarrës në PD, ka vendosur anulimin e datës 29 Korrik për zgjedhjet e kryetarit të PD. Ky vendim është i detyrueshëm për çdo anëtar të PD dhe për çdo funksionar të saj.

Por nesër Lulzim Basha ka lajmëruar një akt përçarës të Partisë Demokratike. Interesi i demokratëve është lufta e të gjithëve bashkë, kundër Edi Ramës. Interesi i Lulzim Bashës po duket që është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal.

Në vijim të ndërtimit të një partie personale, nesër sipas tij do të zgjidhet Kryetari i Partisë. Qartësisht ajo që po bën Lulzim Basha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD në detyrë, funksional, i regjistruar në gjykatë dhe me mandat që i përfundon më 17 Korrik 2025, ka vendosur me vendimin e datës 27 Korrik 2023 anulimin e zgjedhjeve.

Proceset antistatutore, nuk janë asgjë tjetër, vetëm një akt turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës./A2CNN/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme