Google ADS

Kosova përmendet në takimin Biden-Meloni në Shtëpinë e Bardhë

16:02 | 28 Korrik 2023
KRG

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia kanë në vëmendje Ballkanin Perëndimor. Kjo është konfirmuar nga një deklaratë e përbashkët e presidentit Joe Biden me kryeministren Georgia Meloni, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë. Konkretisht theksuan përkushtimin e përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të rajonit.

Kosova, tensionet në veri dhe problemet me Serbinë ishin gjithashtu pjesë e bisedës mes Biden dhe Melonit.

Megjithatë nuk sqarohet se çfarë hapash do të ndërmarrin për zgjidhjen e krizës aktuale mes Prishtinës dhe Beogradit. Për ta qartësuar këtë ndoshta mund të ndihmojë vizita që pritet të zhvillojë në Kosovë, Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Më herët, i dërguari i posaçëm i administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, Gebriel Escobar, dëshmoi në kongres lidhur me zhvillimet në rajon. Ai foli me shqetësim të madh për raportet e trazuara të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të dhe Bashkimin Europian.

Escobar kërkoi nga Beogradi, por kryesisht nga Prishtina që të zbatojë marrëveshjen e Ohrit, duke konfirmuar se do të sjellë njohje të reja për Kosovën. Zyrtari i Departamentit të Shtetit konfirmoi se aspirate e Uashingtonit është që Kosova të jetë anëtare e NATO-s, BE-së dhe që të ketë një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara./A2CNN/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme