Ulet intensiteti i zjarreve në Greqi pas gati dy javëve

10:54 | 28 Korrik 2023
L G

Zjarret në Greqi u zbutën më 28 korrik pasi u dogjën për pothuajse dy javë. Shërbimet greke të urgjencës po punojnë për të parandaluar shpërthime të reja në pjesën qendrore të vendit, nga ku shumë banorë kishin ikur shkaku i një shpërthimi masiv në një depo municioni një ditë më parë.

Zjarret, të nxitura nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta, kanë vrarë pesë persona, kanë shkatërruar shtëpi, ferma dhe fabrika dhe kanë djegur një pjesë të konsiderueshme të tokës pyjore që nga 17 korriku.

Në zonën e goditur rëndë të Magnezisë, zjarret arritën në një depo municionesh të forcave ajrore pranë qytetit bregdetar të Nea Aghialos më 27 korrik. Zjarri në depo shkaktoi shpërthime të fuqishme dhe roja bregdetare tha se banorë lokalë u detyruan të largoheshin nga ajo zonë.

Avionët luftarakë të vendosur në një aeroport ushtarak aty pranë u zhvendosën si masë sigurie, tha një zyrtar qeveritar.

Shpërthimi u ndje në një hapësirë të madhe prej disa kilometrash larg depos, duke shkaktuar thyerjen e xhamave të disa dyqaneve, thanë vendasit për Reuters.

Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, tha më 28 korrik se kishte urdhëruar një hetim mbi incidentin.

Zjarrfikësit bënë një “përpjekje mbinjerëzore”, por nuk arritën të zbusin zjarret e rindezura në zonën më të gjerë të Volos dhe në Aghialos, tha zëdhënësi i brigadës së zjarrit, Ioannis Artopoios.

Dhjetëra zjarrfikës punuan në atë zonë, të ndihmuar nga pesë avionë dhe një helikopter, pasi erërat e forta mund të shkaktojnë ndezje të reja, tha brigada e zjarrfikësve.

Ministria e Punës u bëri thirrje punëdhënësve në një zonë industriale të Volos t’i pezullojnë operacionet për të dytën ditë radhazi më 28 korrik.

Në ishullin Rodos, ku më shumë se 20.000 turistë dhe vendas u larguan nga hotelet dhe shtëpitë buzë detit gjatë fundjavës, zjarret janë shuar pasi kanë djegur rreth 10 për qind të sipërfaqes së ishullit.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha një ditë më parë se Greqia duhet të ndërmarrë më shumë hapa për t’i luftuar efektet e ndryshimeve klimatike, duke theksuar nevojën për të përmirësuar më tej shërbimet e parandalimit të zjarreve./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme