Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Memoriale të Policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Fillimisht Kurti i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta në Lapidarin e zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës, i cili gjendet në oborrin e përbashkët të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë, përcjell Arbresh.info.
Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se para se të bëhej zbulimi i pllakës së Heroit Enver Zymeri në kampin “Belvedere”, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi, ministrat Sveçla dhe Haxhiu, dhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha bashkë me të birin e Enver Zymerit, Sokol Zymeri, bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta edhe te vendi i rënies së tij me 26 korrik 2011.
Nga kampi Policisë që nga sot zyrtarisht do të bartë emrin e Enver Zymerit, duke përkujtuar 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës zyrtare, Kurti tha se ata u përjetësuan në historinë e vendit tonë duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione për shtrirjen e rendit dhe sovranitetit, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, e në patrullime të rregullta.
“E sot, teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymerit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mbledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në dy pikat kufitare me Serbinë”, tha Kurti, duke shtuar se Enveri i rritur e i edukuar nga një familje patriotike që ishte e përndjekur nga regjimi serb, pas uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi shërbimin ndaj vendit me uniformën e Policisë së Kosovës dhe është shembulli i qytetarit që u angazhua për të kuptimësuar lirinë.
Në fjalën e tij, Kurti u tha familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës se sakrifica e bijve të tyre, është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës.
“Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh. Ata jetojnë në kujtimet më të mira e në përvojat më të vlefshme të kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës”, tha kryeministri.
Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë gjithmonë përkrah jush e bashkë me ju, për të ndarë së bashku përvojat më të mira e sukseset e shumta për t’u ballafaquar me çdo sfidë që mund të dalë para nesh.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, z. Besnik Bislimi,
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,
E nderuara ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha,
I nderuar drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti,
I nderuar zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Enver Cikaqi,
I nderuar ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, menaxhment i lartë i Policisë,
Të dashur familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës, të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Jam jashtëzakonisht i nderuar që ndodhem sot këtu mes jush, për të shënuar së bashku ditën që përkujton 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës zyrtare.
Këta 22 zyrtarë tanë policorë u përjetësuan në historinë e vendit tonë duke dhënë jetën në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, në operacione për shtrirjen e rendit dhe sovranitetit, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, e në patrullime të rregullta.
E sot, teksa kujtojmë të gjithë ata, bëhen 12 vjet nga vrasja e Enver Zymerit nga strukturat kriminale. Kampi ku jemi mbledhur këtu, ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit drejt operacionit për shtrirje të sovranitetit dhe ligjshmërisë në dy pikat kufitare me Serbinë.
Enver Zymeri, i rritur e i edukuar nga një familje patriotike që ishte e përndjekur nga regjimi serb, pas uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi shërbimin ndaj vendit me uniformën e Policisë së Kosovës. Ai është shembulli i qytetarit që u angazhua për të kuptimësuar lirinë. Nuk duhet dhe nuk do të pushojmë asnjëherë së angazhuari për të vënë dritë mbi rastin e drejtësi mbi dorasin që i mori jetën Enverit tonë. E bashkë me neve sot këtu është edhe djali i tij Sokoli, Sokol Enver Muharrem Zymeri.
Të dashura familje që jeni sot me ne,
Sakrifica e bijve tuaj është shembulli më i mirë që kanë para vetes gjenerata të tëra të Policisë së Kosovës. Ju i keni dhënë vendit tonë më të dashurit tuaj, teksa ata jetojnë gjithmonë mes nesh. Ata jetojnë në kujtimet më të mira e në përvojat më të vlefshme të kolegëve të tyre në Policinë e Kosovës.
Të jeni përjetësisht krenarë që secila vajzë e secili djalë nën uniformën e Policisë së Kosovës betohet të ndjekë rrugën që familjarëve tuaj i është ndërprerë padrejtësisht e tinëzisht në mes. Ata e ato e kanë para vetes shembullin më të qartë të shërbimit pa kursim ndaj vendit. Rënia në kryerje të detyrës e familjarëve tuaj, ka ngritur lartë dhe përjetësisht emrat e tyre në historinë e Policisë së Kosovës dhe të Republikës së Kosovës.
Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës që sot qëndroni ndershmërisht në këtë vend,
Kampi ku do të vazhdoni të zhvilloheni e të angazhoheni, nga sot e tutje bartë emrin e Enver Zymerit. Shumë nga ju jeni nisur nga ky kamp drejt operacionit bashkë me Enverin, e madje keni qenë krah tij deri në momentet e fundit të jetës së tij. Jeni trajnuar e keni punuar, jo vetëm me të, por me të gjithë të rënët që sot s’i kemi mes nesh, por që i kujtojmë me krenarinë më të madhe.
Vazhdoni denjësisht drejt rrugës së tyre për të garantuar rend dhe ligj në Republikën tonë. Vazhdoni pa kompromis luftën ndaj bandave, ndaj krimit, e ndaj çdo veprimtarie që cenon sigurinë e qytetarëve tanë e të vendit tonë.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës do të jemi gjithmonë përkrah jush e bashkë me ju, për të ndarë së bashku përvojat më të mira e sukseset e shumta për t’u ballafaquar me çdo sfidë që mund të dalë para nesh.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për 22 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës!
Lavdi Enver Zymerit!
Lavdi të gjithë këtyre!
Lavdi e përjetshme sakrificës së pashembullt të tyre!
Ju falemnderit.
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...