Izraeli është përgatitur për protesta dhe greva të reja të martën, pas një votimi parlamentar përçarës të reformave kontroverse në gjyqësor, që e kanë ndarë vendin dhe kanë nxitur kritika nga aleatët e huaj.
Vendimi i Qeverisë së krahut të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, për ta përmbushur një pjesë kyçe të reformave të saj të hënën, ka nxitur tashmë sfida ligjore dhe përleshje nëpër rrugë.
Kundërshtarët do t’i vazhdojnë protestat të martën, ndërsa mjekët do të futën në grevë.
“Dora, e zgjatur për dialog, mbeti e ngritur pezull, derisa festa e fitores simbolizoi, mbi të gjitha, një luftë që ka vetëm humbës”, tha kryetari i Shoqatës së Mjekëve të Izraelit, Zion Hagay, në një njoftim për grevën.
Kjo grevë e tyre erdhi pasi Federata e Sindikatave e Izraelit, Histadrut, kërcënoi me përsëritjen e një greve të përgjithshme në mars për shkak të reformave.
Shoqata e Avokatëve të Izraelit ishte në mesin e një numri të madh grupesh që nisën peticione në Gjykatën Supreme, me qëllim për ta rrëzuar legjislacionin e ri.
“Ditë e zezë për demokracinë e Izraelit”, shkruhej në ballinat e nxira të tri gazetave kryesore të vendit të martën, të reklamuara nga kundërshtarët e reformave në gjyqësor.
Protestuesit qëndruan në rrugë deri natën vonë pas votimit. Studenti Josh Hakimi tha se ndihej “shumë, shumë i pikëlluar për atë që po ndodh në këtë vend”.
“Ju e shihni se çfarë po ndodh në rrugë, të gjithë janë të zemëruar”, tha ai për AFP në një protestë afër Parlamentit në Jerusalem.
Rreth 58 persona janë arrestuar gjatë protestave, ka thënë policia, në mesin e të cilëve edhe protestues në Tel Aviv, i cili është bërë vatra kryesore e njërës prej protestave më të mëdha në Izrael.
Policia tha se një person u arrestua nën dyshimin për dëmtimin e demonstruesve, ndërsa organizatorët thanë se ai e kishte goditur me veturë një grup njerëzish që po e bllokonin një autostradë.
Oficerët e policisë përdorën topa uji për t’i shpërndarë protestuesit në një rrugë kryesore në Tel Aviv, ku turma valëviste flamujt izraelit.
Opozita e kritikon kryeministrin “kukull”
Netanyahu dështoi t’i qetësojë kundërshtarët me një paraqitje televizive të hënën në mbrëmje vonë, në të cilën ai u zotua për bisedime gjatë kohës kur Parlamenti do të shkojë në pushim.
“Arrijeni një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjitha dhe ne do të shtojmë më shumë kohë, nëse është e nevojshme”, tha ai.
Kryeministri i sfiduar tregoi shenja plogështie në Parlament, derisa qëndronte i ulur në mes të ministrave të vet të Drejtësisë dhe Mbrojtjes, vetëm një ditë pas një operacioni të paplanifikuar për vendosjen e një stimuluesi kardiak.
Netanyahu e mbrojti ligjin e ri, i cili ia kufizon pushtetin Gjykatës Supreme për shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë si “hap i nevojshëm demokratik”.
Ndasitë e thella brenda koalicionit të tij dhe protesta masive e detyruan kryeministrin ta ndalte përkohësisht procesin legjislativ në mars, por brenda pak javësh politikanët e fajësuan njëri-tjetrin për dështimin e bisedimeve.
Të hënën, opozita doli nga salla e Kuvendit për ta bojkotuar votimin e projektligjit, i cili kaloi me 64 vota pro.
Shefi i opozitës, Yair Lapid , e kritikoi, siç e quajti ai, “paraqitjen e dobët të paparë” të Netanyahut.
“Izraeli nuk ka kryeministër. Netanyahu është bërë kukull e ekstremistëve mesianikë”, tha Lapid, duke iu referuar aleatëve të ekstremit të djathtë dhe ultra-ortodoks e hebre të kryeministrit./rel
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie një profilë metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizre...
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...