Fermerët ukrainas janë në pikun e punës për grumbullimin e të korrave të grurit, ndërsa Rusia u tërhoq javën e kaluar nga marrëveshje që lejon Ukrainën të eksportojë grurë përmes porteve në Detin e Zi.
Pas këtij vendimi, Kremlini nisi sulmet në portet e Ukrainës dhe qendrat e grumbullimit të drithërave, duke shkaktuar rritje të çmimeve të grurit në tregjet globale.
Me tre dekada përvojë në bujqësi, Ruslan Holub ka krijuar lidhje të shumta me tregtarë të mëdhenj globalë.
Edhe përpara se Rusia të tërhiqej nga marrëveshja për të lejuar eksportin e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi, ai thotë se Moska përpiqej qëllimisht t’i vononte dërgesat.
“Kam folur me shumë tregtarë dhe të gjithë thonë se inspektorët rusë krijonin radhë të panevojshme shumë anije thjesht qëndronin në pritje”, thotë fermeri Ruslan Holub.
Ukraina ka punuar për të krijuar rrugë të reja eksporti përgjatë lumit Danub dhe rrugë tokësore përmes Sllovakisë dhe Polonisë.
Por fermeri Holub thotë se deri tani, rruga e Detit të Zi mbetet më e mira.
“Deti na lejon të kursejmë në logjistikë. Kjo ndikon në koston e prodhimit në vend për fermerët”.
Fermeri holandez Kees Huizinga ka punuar në Ukrainë për më shumë se dy dekada.
Ai shqetësohet se do t’i humbasë të gjithë të korrat e tij, nëse nuk do të arrijë t’i transportojë ato përmes Detit të Zi.
“Gjithë ky grurë do të humbasë. Është për të ardhur keq, sepse nëse nuk mund ta eksportojmë; ne nuk mund ta konsumojmë vetë. Deti i Zi është alternativa e vetme”.
Këtë vit, fermerët ukrainas kanë parë një rënie të ndjeshme të çmimeve të grurit.
Ruslan Holub thotë se ai dhe fermerët e tjerë po i shesin të korrat e tyre me rreth 150 dollarë për tonë, gjysmën e çmimit të vitit 2022.
“Aktualisht fitimet janë ulur pothuajse në zero, madje edhe mund të dalim me humbje. Si mund të vazhdohet kështu? Fermerët ukrainas janë punëtorë nga natyra dhe ata e kuptojnë se ne përfundimisht do të kthehemi në nivelet e të ardhurave që kishim dikur. Por është thelbësore të vazhdohet mbjellja pavarësisht sfidave aktuale”.
Ukrainasit po mbështeten te partnerët ndërkombëtarë, si Turqia dhe OKB-ja, për të siguruar eksportet e tyre të grurit përmes Detit të Zi.
Pavlo Lakiychuk është me Qendrën për Studime Globale.
“Nëse është e nevojshme, nën kujdesin e OKB-së, Turqia mund të sigurojë korridorin e grurit pa Rusinë. Thelbi i këtij propozimi qëndron në faktin se anijet që lëvizin drejt porteve tona dhe në ngushticat e Detit të Zi mbajnë flamuj të ndryshëm. Prandaj, çdo sulm nga Rusia ndaj këtyre anijeve do të konsiderohej një akt piraterie”.
Pas tërheqjes nga marrëveshja e grurit, Rusia filloi të bombardojë depot e magazinimit të grurit të Ukrainës.
Presidenti Zelensky thotë se forcimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore në portet e Ukrainës si Odesa, mund të ndihmojë në zbutjen e kërcënimeve dhe ruajtjen e çmimeve të qëndrueshme globale të ushqimit./VOA/