Google ADS

Eksperti i nëndetëseve për shpërthimin e Titanit: Nuk vdes, resht së ekzistuari

16:26 | 23 Korrik 2023
Diellza Gashi

Vetëm disa orë pasi rezervat e oksigjenit në bordin e Titanit duhet të kishin mbaruar zyrtarisht, Roja Bregdetare e SHBA-së konfirmoi se kishte gjetur disa rrënoja nga nëndetësja, gjë që tregonte se ajo kishte pësuar një “shpërthim katastrofik”.

Në këtë mënyrë u konfirmua se ekspedita me pesë anëtarë të ekuipazhit që kishin shkuar për të parë mbetjet e Titanikut përfundoi në tragjedi. Të gjithë vdiqën. Stockton Rush, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Dawood, Hamish Harding dhe Paul-Henri Nargeolet. Pas tragjedisë, nisën të dalin në dritë paralajmërimet e shumta për mungesën e certifikatave të marra nga kompania amerikane Ocean Gate.

Eksperti i nëndetëseve Rob McCallum, i cili ka punuar me kompaninë e Stockton Rush në fillim të zhvillimit të saj, ka deklaruar se shpërthimi në kaq shumë metra thellësi do të thotë se pasagjerët “kanë reshtur së ekzistuari” përpara se truri i tyre të kuptonte se ata ishin në rrezik.

Ish-kontraktori i OceanGate ka zbuluar gjithashtu se ai po shqetësohej gjithnjë e më shumë për natyrën eksperimentale të nëndetëses dhe se u largua nga kompania kur Rush njoftoi se po fillonte ekspeditat tregtare në rrënojat e Titanikut.

Në fakt, McCallum e ka cilësuar kompaninë si një “bombë me sahat” dhe është shprehur se “nuk është i befasuar” nga tragjedia që tronditi mbarë planetin.

Për fat të mirë, pas kritikave të shumta të marra për shkak se ata vazhdonin të shpallnin udhëtime për të parë Titanikun, OceanGate u ka dhënë fund ekspeditave dhe operacioneve tregtare. Me fjalë të tjera, ajo nuk do të bëjë më udhëtime në linjën oqeanike dhe as në destinacione të tjera, siç reklamonte në faqen e saj deri disa javë më parë.

Në lidhje me atë që ndodhi, McCallum ka transmetuar një mesazh të fortë: “I gjithë vëllimi i një zhytëse shembet në afërsisht dy milisekonda. Dhe trurit të njeriut i duhen 25 milisekonda për të zbuluar një kërcënim. Nuk vdes, resht së ekzistuari. Është fundi perfekt”. /A2CNN

Të ngjashme