Google ADS

Rriten me 35 deri në 40% çmimet e pronave në bregdetin Shqiptar

22:41 | 22 Korrik 2023
Orgesa Haziri

Gjatë këtij viti çmimet e apartemanteve në zonat bregdetare janë rritur me 35 deri në 40%.

Ekspertët thonë se rritja vjen për shkak të kërkesës së lartë të të huajve për të blerë prona në Shqipëri.

Çmimet e apartamenteve dhe pronave vijojnë të njohin rritje.

Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare rritja më e madhe, gjatë këtij viti, është në pronat që ndodhen në zonat bregdetare.

“Mund të them që ka një rritje diku 35-40% sidomos në këto apartamente që janë me pamje nga deti, apartamentet sa më afër vijës bregdetare. Kjo ka ardhur si pasojë e kërkesës që ka ardhur gjithmonë në rritj”, tha në një prononcim për Euronews Albania, eksperti imobiliar Sokol Çili.

I pyetur rreth faktorëve që ndikojnë, Çili shprehet se kërkesa e lartë  dhe oferta e ulët ka rritur çmimet për metrin katror, por dhe luhatja e euros e muajve të fundit, ka ndikuar në këtë sektor.

“Faktori i parë është kërkesa, sa më shumë kërkesë të ketë, bën që çmimi të shkoj në rritje. Mund të them edhe kriza që pati pas pandemisë ku u rritën dhe çmimet e materialeve, gjithashu edhe lëvizja e euros pati goxha ndikim, sidomos tani këtë vitin e fundit është rreth 15-20% më shumë seç ka qenë”, tha eksperti.

Sipas të dhënave, apartamentet buzë detit janë rritur mesatarisht me 300 euro për metër katror. Çmime më të larta janë në Vlorës, ndërsa në Durrës dhe Qerret, pronat u shtrenjtuan me 15%.

Interesi i lartë i të huajve ka ndikuar dhe në ndryshimin e shpejtë të çmimeve.

“Blerësit janë të ndryshëm. Mund të them që është parë një rritje goxha e konsiderueshme të të huajve në vendin tonë, kryesisht nga Polonia, Çekia, vendet nordike, Italianët, dhe ata kanë patur shumë kërkesë, gjithashtu dhe vendas”, tha ai.

Aktualisht çmimi për metër katror në zonat e jugut shkon mesatarisht nga 2000 deri në 3500 euro për metër katror.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme