Rusia bombardon Odesën dhe portet jugore ukrainase për të tretën natë me radhë

07:54 | 21 Korrik 2023
Diellza Gashi

KIEV, Ukrainë – Rusia goditi qytetet jugore të Ukrainës me dronë dhe raketa për të tretën natë radhazi të enjten, duke e mbajtur Odesën në epiqendër të sulmeve, pas kundërshtive mbi ndërprerjen e një marrëveshjeje që i lejonte Ukrainës të dërgonte grurë përmes këtij porti kryesor të Detit të Zi.

Sulmet vranë të paktën dy persona në Odesa. Në qytetin e afërt Mykolaiv, që gjendet pranë Detit të Zi, të paktën 19 persona u plagosën, përfshirë një fëmijë, thanë zyrtarët ukrainas.

Rusia ka vendosur në objektiv infrastrukturën jetike të eksportit të grurit ukrainas që kur u zotua për “hakmarrje” këtë javë për një sulm që dëmtoi një urë të rëndësishme midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Moska. Zyrtarët rusë fajësuan për këtë sulm dronët detarë ukrainas.

Goditjet ndaj infrastrukturës së eksportit të grurit të Ukrainës kanë ndihmuar rritjen e çmimeve të ushqimeve në vendet që përballen me urinë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se përfundimi i marrëveshjes të hënën do të rezultojë në më shumë vuajtje njerëzore, me ndoshta miliona njerëz që do të ndikohen.

Marrëveshja e grurit ofronte garanci që anijet nuk do të sulmoheshin duke hyrë dhe dalë nga portet e Ukrainës, ndërsa një marrëveshje e veçantë lehtësoi lëvizjen e ushqimeve dhe plehrave kimike ruse.

Ushtria ruse të enjten i përshkroi si “hakmarrëse” sulmet e saj në Odesa, një qytet zona qendrore e të cilit përshkruhet nga agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara UNESCO si me “vlera të jashtëzakonshme universale”.

Në janar, UNESCO shtoi qendrën historike të Odesës në listën e saj të vendeve të trashëgimisë botërore të rrezikuara. Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay foli për “portin legjendar që ka lënë gjurmë në kinema, letërsi dhe arte”.

Pavarësisht sulmeve të shumta të artilerisë ruse dhe sulmeve ajrore gjatë luftës që filloi në shkurt 2022, Odesa nuk i ishte nënshtruar më parë valëve të sulmeve të rënda që kanë goditur qytetet e tjera në jug dhe në lindje të Ukrainës.

Banorët e Odesës u tronditën nga përqëndrimi i papritur i Rusisë tek qyteti i tyre.

“Më kujtohet sulmi në port vitin e kaluar, por tani më duket sikur ishte vetëm 5% në krahasim me atë që rusët kanë nisur ndaj nesh gjatë këtyre tre ditëve të fundit”, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press Oleksandr Kolodin, një fotograf 29-vjeçar.

Disa kishin frikë se vendimi i Rusisë për të prishur marrëveshjen e grurit do ta bënte Odesën një objektiv parësor afatgjatë.

“Pamë se si ata mundën ta sulmonin Kievin për një muaj të tërë”, tha programuesi 29-vjeçar Victor, duke iu referuar bombardimeve intensive të kryeqytetit ukrainas në maj. Ai kërkoi të përdorte vetëm emrin e tij të parë për shkak të shqetësimit për sigurinë e tij.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se kishte në objektiv “punishtet e prodhimit dhe vendet e magazinimit për mjetet detare pa pilot” në Odesa dhe qytetin e afërt Chornomorsk. Në zonën e Mykolaivit, ushtria ruse pretendoi se kishte shkatërruar objektet e infrastrukturës së karburantit të Ukrainës dhe depot e municioneve.

Pretendimet e asnjërës palë nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Një natë më parë, një bombardim intensiv rus me dronë dhe raketa dëmtoi infrastrukturën jetike të portit në Odesa, përfshirë terminalet e grurit dhe naftës. Sulmi shkatërroi të paktën 60 mijë tonë grurë./VOA

Të ngjashme