Krasniqi takon Hovenier: Zgjedhjet s’kanë alternativë, vendi s’duhet të ndëshkohet për shkak të një individi

13:20 | 20 Korrik 2023
E.H

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Tema të diskutimit ishin situata aktuale, qëndrimet e PDK-së në raport me to dhe veprimet e nevojshme përpara, drejt rikthimit të Kosovës në kursin pa alternativë euro-atlantik.

“Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombetarë, janë tërësisht të papranueshme”, thuhet në postimin e Krasniqit në rrjetin social Facebook.

I pari i PDK-së i ka shprehur qëndrimin Hovenierit që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të një individi.

“Ky nuk është vullneti i qytetarëve dhe ajo për të cilën ata kanë votuar, rrjedhimisht, Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi”, thuhet tutje në postim.

Tutje, Krasniqi thotë se zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme sepse sipas tij Qeveria e ka humbur rrugën dhe kredibilitetin e saj.

“Ambasadorin amerikan e falënderova për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë dhe e sigurova se PDK do të angazhohet fuqishëm që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të luaj rrolin e saj konstruktiv në shërbim të këtij interesi”, tha Krasniqi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme