Paraburgim për Ilir Avdullahun, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës

15:40 | 19 Korrik 2023
L G

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e policit, Triumf Riza.

Lajmin e ka bërë vetë gjykata përmes një njoftimi për media, raporton Arbresh.info.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A i dyshuar për veprën penale Vrasje e Rëndë nga neni 147 paragrafi 1, nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A dhe të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftim.

I dyshuari që nga viti 2008 gjendej në arrati, dhe kjo sipas njoftimit ka bërë që gjyqtari të aprovojë kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit I.A dhe ka vlerësuar se përmbushet kriteri nga neni 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1. të KPRK-së, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti dyshohet për vepër të rëndë penale për të cilën sipas ligjit parashihet dënim i lart burgimi, duke shtuar faktin se i pandehuri nga viti 2008 ka qenë në arrati, andaj bazuar në të kaluarën e të pandehurit dhe sjelljen e tij ne raport me organet ligj zbatuese, gjykata konsideron se nëse i njëjti gjendet në liri, ekziston rreziku që të arratiset dhe të bëhet i pakapshëm për organet e drejtësisë, andaj konstatoi së masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale, në këtë fazë të procedurës penale”, bënë të ditur gjykata.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Policia të dielën njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i cili ishte në kërkim policor për vite me radhë.

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhej në njoftimin e Policisë./Arbresh.info/

Të ngjashme