Projektligji i Senatit siguron mbështetjen e ShBA-së ndaj Kosovës

12:24 | 19 Korrik 2023
A Z

Draft-ligji vjetor i mbrojtjes i Senatit do ta shtonte Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake amerikane në mes të tensioneve të rritura në Ballkan.

Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, për të cilin Senati është planifikuar të fillojë debatin këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s, shkruan defensenews.

Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, një listë e vendeve që përfshin rivalin e saj Serbinë.

“Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride,” thuhet në një raport të komisionit.

Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

“Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, thuhet në raport.

Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura e avancoi projektligjin në qershor.

Përpjekjet për të thelluar lidhjet ushtarake SHBA-Kosovare vijnë pasi administrata e Biden dhe ligjvënës të shumtë kërkojnë të zbutin marrëdhëniet e përkeqësuara të Kosovës me Serbinë në mes të tensioneve në rritje midis komunitetit shqiptar dhe serb brenda Kosovës.

Komisioni për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë dëgjimore për këtë çështje më 18 korrik, megjithëse ligjvënësit kanë qenë disi të ndryshëm në lidhje me presionin për të ushtruar ndaj Kosovës, kundrejt Serbisë, në mosmarrëveshje.

“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në zbatimin e një ‘Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe’ siç u zotua të bënte 10 vjet më parë”, tha në seancën dëgjimore kryetari i nënkomisionit për Evropë, Thomas Kean.

“Megjithatë, SHBA-të duhet të sigurojnë se [asociacioni] mbron të drejtat e serbëve të Kosovës pa e dëmtuar autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj sovran”, tha ai.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës që të mbajë zgjedhje të reja në komuna, dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit për Çështjet Euroaziatike, Gabriel Escobar tha se dështimi për ta bërë këtë mund të ndikojë në aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

“Kërkesa jonë e vetme ishte që Kosova të mos përpiqet të vendosë kryetarët e komunave me dhunë aty ku po ndodhnin protesta”, tha Escobar para Komisionit të Punëve të Jashtme të martën.

Escobar vuri në dukje se SHBA-ja ka “marr zotim” nga Serbia për të mos kundërshtuar zgjedhjet e reja “dhe ka pasoja për Serbinë nëse ata e kundërshtojnë këtë”.

Shkrimi i plotë https://www.defensenews.com/congress/2023/07/19/senate-defense-bill-grants-us-training-assistance-to-kosovo/

Të ngjashme