FSHF-së miraton ndryshimin e formatit të kampionatit, kampioni vendoset në paly-off

17:31 | 18 Korrik 2023
Orgesa Haziri

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar vendimin për ndryshimin e formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke nisur që nga ky sezon 2023-2024.

Vendimit për ndryshimin e formatit i paraprinë disa raunde diskutimesh dhe konsultash mes përfaqësuesve të FSHF-së, drejtuesve dhe presidentëve të klubeve të kampionatit elitar gjatë ditëve të kaluara, ku u propozuan disa variante të ndryshme.

Ndryshimi i skemës së kampionatit ka si synim për të afruar më shumë spektatorë në shkallët e stadiumeve, për të promovuar më shumë kampionatin shqiptar apo edhe për t’u dhuruar spektatorëve ndeshje me më shumë nivel kompetitiv në fundin e kampionatit.

Gjithashtu, synohet që ky ndryshim të sjellë edhe më shumë të ardhura për klubet shqiptare në përfundim të sezonit.

Sipas skemës së re, kampionati “Abissnet Superiore 2023-2024” do të ketë katër faza dhe në përfundim të javës së 36-të ekipet e renditura në 4 vendet e para do të përballen në një fazë play-off.

Kjo fazë do të quhet “Final 4” dhe ekipi fitues do të shpallet skuadra që grumbullon më shumë pikë në këto tre ndeshje.

Të katër ekipet e nisin “Final 4” me 0 pikё, ndërsa ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës./Arbresh.info/

Të ngjashme