Google ADS

Kritika për moszgjatjen e marrëveshjes për drithërat

09:58 | 18 Korrik 2023
A Z

Njoftimi i Kremlinit për moszgjatjen e marrëveshjes për drithërat u përcoll me kritika të ashpra në mbarë botën.

Falë marrëveshjes që garantonte lundrimin e anijeve të transportit përmes Detit të Zi, Ukraina ka eksportuar, që nga korriku i vitit të kaluar, 33 milionë ton drithëra dhe prodhime të tjera ushqimore, pavarësisht prej luftës brutale që ka prekur rëndë bujqësinë.

Caitlin Welsh, drejtore e Programit Global të Sigurisë së Ushqimit dhe Ujit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se “nëse marrëveshja nuk rinovohet, kjo do të ketë ndikime të forta në çmimet botërore të ushqimit dhe në sigurimin e ushqimit për miliona njerëz në mbarë botën.”

Antonio Guterres “thellësisht i zhgënjyer”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është “thellësisht i zhgënjyer që sugjerimet e mia nuk u morën parasysh. Vendimi i sotëm i Rusisë është një goditje e rëndë për njerëzit në nevojë në mbarë botën. Megjithatë kjo nuk do të na pengojë ta bëjmë sa më të lehtë mundësinë që tregjet botërore të kenë akses për ushqime dhe plehra kimike si nga Ukraina ashtu edhe nga Rusia.”

Guterres tha se kishte biseduar me presidentin e Ukrainës Zelenski dhe që të dy kishin rënë dakord që të punojnë së bashku për të siguruar eksportet përmes Detit të Zi dhe sigurimin e ushqimeve në tregjet botërore.

Baerbock: Putini vazhdon ta përdorë urinë si armë

Edhe ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, e dënoi bllokimin e marrëveshjes nga Kremlini, gjë që sipas shumë ekspertëve do të sjellë pasoja të rënda për miliona vetë në mbarë botën.

“Fakti që presidenti rus ka deklaruar sërish se po pezullon të ashtuquajturën Nismë të Detit të Zi, e cila mundëson eksportimin e drithërave nga Ukraina në të gjithë botën, tregon se ai nuk ka merr aspak në konsideratë më të rrezikuarit në botë dhe se vazhdon ta përdorë urinë si armë.” – tha Annalena Baerbock.

Erdogan do të ndërmjetësojë

Presidenti turk Erdogan reagoi me qetësi megjithë njoftimet e Putinit dhe dëshiron të bisedojë me Rusinë për një zgjidhje të mundshme. Edhe OKB-ja dhe BE-ja shpresojnë se mund ta shpëtojnë marrëveshjen./DW/

 

Të ngjashme