Bashkohen tregjet e energjisë

15:47 | 17 Korrik 2023
E.K

Qeveria e Kosovës është e angazhuar për të përmirësuar sigurinë e furnizimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike, përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve. Kështu u shpreh, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në konferencën për emërimin e ALPEX- si Operator i Nominuar i Tregut të Energjisë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit me energji elektrike. Në një takim të organizuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, u vlerësua se bashkimi i tregjeve të energjisë i forcon ekonomitë e vendeve të rajonit.

Përfitimet nga integrimi i tregjeve të energjisë elektrike janë të shumta për të dy shtetet dhe do të kontribuojnë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Kështu tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me rastin e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit për njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Do të mbështetemi në resurset e njëri tjetrit gjatë kërkesave të pikut në rast të mungesës së furnizimit. Do të na ndihmojë për diversifikimin e resurseve duke mundësuar që t të shfrytëzojmë në mënyrën te optimizojmë në mënyrën më të mirë burimet e llojllojshme të cilat i kemi në vendet tona”, tha ajo.

Këtë memorandum e konsideruan të rëndësishëm edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji dhe nga Komisioni Rregullator për Energji në Maqedoninë e Veriut.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshje ne po hapim dyert për mundësitë të reja për furnizuesit dhe tregtarët e energjisë si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut duke zvogëluar barrierat administrative, për hyrjen e tregtarëve në këto dy tregje”, tha Ymer Fejzullahu nga ZRRE

Kurse, Marko Bislimoski nga Komisioni rregullator për energji në Maqedoninë e Veriut, theksoi se është i sigurt se marrëveshja do të sjellë mundësi të reja dhe shanse të reja gjithashtu edhe për investitorët që të investojnë në burimet e ripërtërishme në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Drejtori për dizajnimin e tregut të energjisë elektrike, Arben Kllokoqi tha se tregjet e energjisë elektrike tani janë në një proces të bashkimit dhe në këtë proces të bashkimit është e pashmangshme që barrierat të hiqen në mënyrë që të krijohen mundësi për pjesëmarrje të kompanive tregtare dhe ne tregjet respektove.

Bashkimi i tregjeve, sipas rregullatorëve të energjisë, do t`i kontribuojë zhvillimit të qëndrueshëm të të dyja vendeve./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme