“Kamerat e trupit”, ekspertët: Do ta shmangin keqpërdorimin e policëve dhe rrisin besimin e qytetarëve

10:57 | 15 Korrik 2023
K.B

Shumë shpejt pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të pajisen me kamera trupi.

Fillimisht do jenë policët e trafikut ata të cilët do pajisen me këto kamera, raporton Arbresh.info.

Sipas policisë, ky projekt ka për qëllim që të argumentojë aktivitetet policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.

“Policia e Kosovës përmes projektit të pajisjes së zyrtarëve policorë me kamera të trupit, përveç tjerash ka për qëllim që të argumentojë aktivitetet policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren. Për tu finalizuar si i tillë projekti, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, fillimisht janë përgatitur dokumentacionet e nevojshme dhe Procedurat Standarde të Operimit, për të arritur tani deri në fazën testuese të përdorimit të kamerave të trupit në terren”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Ky projekt sipas policisë, është i mbështetur nga SHBA-të dhe ka për qëllim po ashtu rritjen e besimit të qytetarëve në institucionin e Policisë së Kosovës.

“Mbështetur në detyrat dhe autorizimet e policisë të parapara me ligj, si dhe me qëllim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, e po ashtu rritjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë, vite më parë Policia e Kosovës në mbështetje dhe përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ICITAP dhe INL), kishte filluar pilot- projektin për pajisje të zyrtarëve policorë me kamera të trupit”, bënë të ditur policia.

Shala: Shqetësim do të mbetet mirëmbajtja e materialit të këtyre kamerave

Njohësi i çështjeve të Sigurisë, Drizan Shala për Arbresh.info thotë se procesi i monitorimit të veprimeve të efektivëve policor përmes kamerave trupor, është një hap drejtë mundësisë për të shmangur keqpërdorimin e autorizimeve policore.

“Procesi për të monitoruar veprimet e efektive policore përmes kamerave trupor është një hap tutje drejt mundësisë për të shmangur në njërën anën keqpërdorimin e autorizimeve policore por edhe deklarimet e rrejshme që qytetaret i bëjnë në raport me punën e zyrtareve policor”, tha ai.

Sipas tij, shqetësim do të jetë mbarëvajtja e procesit të mirëmbajtjes, pasi siç thotë ai, duhet të krijohet një njësi e veçantë për monitorimin e videove.

“Por shqetësimi do te jete mbarëvajtja e procesit të mirëmbajtjes me që do të duhet të kemi krijuar një njësi të veçantë edhe me monitorimin e video/audio të veturave me kamera që janë pra pyetja është ku ruhen të dhënat si ruhen të dhënat a kemi keqpërdorime të dhënave dhe pajisjet çfarë kosto të mirëmbajtjes kanë. Pra ka shumë pyetje për të cilat duhet MPB të jap sqarim por edhe PK të filloje me test pilote ne komunat e vogla dhe njësi relevante që kanë të bëjnë me punën e përditshme të qytetareve”, u shpreh ai.

Eksperti i Komunikacionit, Bekim Ahmeti, tha se pajisja e policëve me kamera të turpit e rrit seriozitetin e policisë.

“ Gjithsesi. Në shumicën e vendeve të botës, policia e komunikacionit ka kamera në trup. Kjo e rrit seriozitetin në radhë të policisë si dhe i deselekto selektimin që behet nga ana e policisë se kujt duhet t’i shqiptohet gjoba e kujt jo”, theksoi ai.

Ndryshe, mbështetur në detyrat dhe autorizimet e policisë të parapara me ligj, si dhe me qëllim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, e po ashtu rritjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë, vite më parë Policia e Kosovës në mbështetje dhe përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ICITAP dhe INL), kishte filluar pilot- projektin për pajisje të zyrtarëve policorë me kamera të trupit.

Policia e Kosovës pas fazës testuese, përmes njoftimit zyrtar, apo konferencës zyrtare do të njoftojë opinionin dhe qytetarët, për fillimin zyrtar të përdorimit të kamerave të trupit, përfshirë edhe dhënien e informacioneve më të detajuara të këtij projekti./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme