Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, me datë 13 korrik 2023, pas propozimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Ahmet Ismaili është zgjedhur për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Konform nenit 38 të Ligjit Nr. 03/L-209 për BQK-në, pas zgjedhjes së z. Ismailit në pozitën e Guvernatorit nga Kuvendi, emërimi i tij duhet të bëhet nga Presidentja e vendit duke zyrtarizuar mandatin 5-vjeçar të Guvernatorit.
Kush është Guvernatori në ardhje i BQK-së?
Ahmet Ismaili ka lindur në Podujevë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Drejtimin Banka dhe Financa të Fakultetit Ekonomik. Përtej studimeve universitare, Ismaili ka marrë edhe titullin doktor i shkencave ekonomike në drejtimin Banka dhe Financa, nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës.
Bazuar në CV-në e tij dhe profilin e tij në platformën LinkedIn, Guvernatori në ardhje i BQK-së ka mbi 18 vjet përvojë pune profesionale në nivele të larta drejtuese, si në industrinë private financiare, ashtu edhe në sektorin publik. Fillimisht, ai ka punuar si bankier në pozita të ndryshme përfshirë edhe pozita të larta menxheriale, si në sektorin bankar, ashtu edhe në atë të sigurimeve, duke vazhduar pastaj në role menaxhuese në sektorin publik.
Deri në zgjedhjen e tij si Guvernator, Ismaili mban pozitën e Drejtorit Menaxhues dhe Anëtarit të Bordit në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Kurse para këtij roli, ai ka mbajtur pozita të ndryshme, siç është ajo e Drejtorit të Thesarit të Shtetit, për një mandat të plotë, ku paralelisht ka qenë edhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Pagesave në BQK.
Ai ka shërbyer edhe si Anëtar Bordi dhe Anëtar i Komitetit të Auditimit në Fondin për Sigurimet Shëndetësore. Në këto role, Ismaili ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, siç janë sesionet dhe takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, si dhe sesionet dhe takimet e Thesareve dhe Bankave Qendrore të shteteve të tjera, duke përfshirë rajonin, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Guvernatori në ardhje i BQK-së ka përvojë edhe si ligjërues përgjatë tetë viteve në Universitetin e Prishtinës, si dhe në Universitete të tjera të akredituara në Kosovë, duke ligjëruar në fushën e bankave dhe afarizmit bankar, menaxhimit financiar, analizës financiare dhe fusha të ngjashme në programet e studimeve bachelor dhe master. Paralelisht, gjatë 16 viteve të kaluara, Ismaili ka qenë i angazhuar herë pas here edhe si trajner i lartë i certifikuar në kuadër të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Ismaili gjithashtu ka punuar edhe si ekspert dhe konsultent i institucioneve të ndryshme ndërkombëtare në Slloveni dhe ShBA.
Guvernatori në ardhje i BQK-së është 39 vjeçar, i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë bashkë me familjen.
Kujtojmë se deri në zgjedhjen e z. Ismaili, institucionin më të rëndësishëm financiar në vend e ka udhëhequr z. Fehmi Mehmeti, kurse aktualisht BQK udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së Guvernatorit, z. Bashkim Nurboja, i cili paralelisht është edhe kryesues i Bordit të BQK-së. Këtë institucion do ta udhëheqë z. Ahmet Ismaili në një mandat 5-vjeçar, pas dekretimit nga Presidentja e vendit, sipas procedurave ligjore.
Rreth Bankës Qendrore të Kosovës
Më 27 korrik 2010, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin nr. 03/L-209 për “Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), është pasardhëse e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, është subjekt juridik publik bazuar në nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës dhe të dispozitave të këtij ligji, që ka autonomi administrative, financiare dhe menaxhuese./rtk
KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Se...
Kurti mirëpriti një delegacion të profesorëve, gazetarëve dh...
Peci s’ndalet, kësaj radhe punëson motrën e Xhelal Sveçlës
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...